Shkodra është kthyer në një vatër të rrezikshme të koronavirusit në Shqipëri, teksa në ditët e fundit rastet kanë nisur të dyfishohen. Ndërkohë, një nga ata që rrezikonte të ishte prekur nga COVID-19, ishte futbollisti i Vllaznisë, Ndriçim Shtubina. Një e afërt e sulmuesit rezultoi me COVID-19, ndaj Shtubina ishte i dyshuar duke i bërë edhe testin.

Megjithatë, ka qenë futbollisti që ka qetësuar opionin publik teksa në një intervistë për “News 24” ka zbuluar se fatmirësisht nuk është prekur nga virusi ndërsa bën thirrje që njerëzit të qëndrojnë në shtëpi. Sa i përket anës sportive, Shtubina e pranon se nga kjo situatë, një futbollist humbet shumë.

“Bëra testin për koronavirusin dhe dola negativ, ishte një lajm i gëzuar për mua. E bëra të isha i qetë për familjen time. Kjo është një situatë që nuk ka të mirë, është e rrezikshme dhe i bëj thirrje shqiptarëve të rrinë në shtëpi.

Të them të drejtën edhe unë vetë e kam neglizhuar pak, por mjekët më kanë thënë që të rri vetëm në shtëpi. Është vërtet një situatë me siklet të madh, sidomos ajo periudha kur po prisja përgjigjen e testit. Një lojtar humb shumë gjëra kur rri në shtëpi, humb stërvitjen dhe merr peshë”, u shpreh Shtubina. /VipSport/