Ilir Shulku ka folur para ndeshjes së Kombëtares kundër Polonisë. Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit ka analizuar këtë takim duke u shprehur optimist për përballjen e sotme.Në një intervistë të dhënë për Supersport, konkretisht për gazetarin Elvis Rexha, Shulku ka thënë:

“Shpresoj ta nisim me këmbë të mbarë, atmosfera është pozitive dhe djemtë kanë besim te forca e tyre. Kemi përballë një kundërshtar të fortë por duhet të përfitojmë nga luhatja që ata kanë pësuar pas ndeshjes së parë. Brenda grupit kanë probleme, në syrim tim si ish-futbollist shoh që ka një tjetër besim në grupit tonë dhe shpresoj të mos zhgënjejmë tifozët”.

Ndryshimet në Kombëtare? Stafi i ri teknik është në moshë të re dhe janë përshtatur mirë me ekipin, kanë trajtuar lojtarët si shokë, stërvitja ka ndryshuar. Dhe kështu atmosfera ndryshoi dhe djemtë janë shumë entuziastë. Kemi edhe kushtet stërvitore te shtëpia e futbollit, djemtë janë mahnitur. Tapeti i fushës është më i miri në Shqipëri.

Ndryshimi me Poloninë? Ata kanë minus faktin që vijnë nga një ndeshje jo e mirë, nuk kanë atmosferën e duhur, kanë pasur konflikte brenda grupit. Ne kemi staf të ri, mentalitet të ri dhe jemi optimist.

Tifozët kuqezi? Numri nuk është në favorin tonë, por lojtarët tanë janë mësuar në klubet më të mëdha europiane. Shpresoj që adrenalina e tifozëve të ndikojë për mirë dhe jo negativisht.

Entuziazmi? Patjetër që po, e rëndësishme është të luajmë mirë dhe më pas të shohim edhe për rezultatin. Kjo ndeshje nuk është gjithçka, nuk ka më ekipe të forta dhe të dobta. Ne do i marrim ndeshjet me rradhë.

Sulmuesit? Edhe në stërvitje kemi parë gola të bukur shpresoj të mos i kenë konsumuar në stërvitje, por të shohim diçka të bukur edhe në ndeshjen e sotme.

Një rezultat i bukur arrihet kur jemi gjithë bashkë, tifozë, media të gjithë faktorët. Kemi edhe dizajnin e ri të fanellës së kombëtares dhe shpresoj të na sjellë fat”, tha ai