Fundjavën që shkoi ka nisur kampionati i grupmoshës U17 për Ligën Amatore në Zonën e Shkodrës dhe në njërën prej ndeshjeve të javës së parë, ka spikatur fitorja e thellë e ekipit ‘Djelmnia shkodrane’ ndaj ‘Atletik B’ me rezultatin 10-0.

Duke folur për ‘Shkodra Sport’ pas përfundimit të kësaj ndeshje, trajneri i ekipit fitues Arber Shytani është shprehur entuziast për ecurinë e këtij ekipi duke thënë:

“Fitorja në këtë ndeshje të parë ka qenë e pritshme edhe ngaqë niveli i ekipit kundërshtar ka qenë më i dobët se ai i joni. Megjithatë e rëndësishme për ne është që t’i mësojmë këto djem të luajnë bukur futboll dhe kur të realizohet kjo, pse jo të mos pretendojmë edhe më shumë.

Në krahasim me vitin e kaluar kemi patur disa largime nga ekipi, megjithatë edhe sivjet besoj se “Djelmnia shkodrane” do të jetë ndër ekipet më të mira të kampionatit dhe rival kryesor besoj se do të jenë ekipet e Vllaznisë, Atletik A e ndonjë tjetër.

E rëndësihme është që këta fëmijë të mendojnë për një të ardhmen më të mirë të karrierës së tyre dhe pse jo edhe jashtë vendit. Por kjo arrihet duke punuar fort çdo ditë dhe duke dhënë më të mirën si në stërvitje ashtu edhe në ndeshje”.
Gjon GJEKA