Vllaznia nuk arrin të fitojë as në ndeshjen e katërt që luan në Shkodër, njëkohësisht të fundit në fushën e vet, në takimet e vlefshme për Ligën Ballkanike. Megjithatë, pasditen e djeshme ndaj Sigal Prishtinës, basketbollistët shkodranë kanë bërë një paraqitje shumë të mirë dhe me pak kujdes edhe mund ta kishin fituar ndeshjen.
Atmosfera në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” edhe mbrëmë ka qenë elektrizuese. Përveç tifozëve shkodranë që e kishin mbushur plot e përplot atë, kanë qenë të pranishëm edhe një grup tifozësh të grupimit “Plisat” të ardhur nga Prishtina. Pikërisht momenti para fillimit të ndeshjes ka qenë interesant kur “Plisat” nga njëra anë dhe “Vllaznit Ultras” nga ana tjetër, kanë kënduar himnin e flamurit duke e improvizuar vetë atë dhe bashkë me to janë bashkuar edhe basketbollistët e të dy ekipeve dhe pjesa tjetër e tifozëve. Natyrisht që kjo gjë u ka bërë jo pak përshtypje gjyqtarëve të takimit që ishin nga Rumania, Mali i Zi dhe Maqedonia. Për më tepër edhe thirrjet e tyre të herëpashershme “Shqipëri etnike, Shqipëri etnike”. Sa i takon ndeshjes, ajo ka nisur më mirë për kosovarët që kanë shënuar të parët me anë Azemit. Sigal Prishtina udhëhoqi rezultatin deri në 6-0 por më pas është Vllaznia që përmbys duke kaluar në 7-6 por vetëm kaq. Do jenë miqtë që do rikthehen në udhëheqje të rezultatit me 16-7 e për ta mbyllur periodën e parë në shifrat 29-18. Loja e shkodranëve nuk u ngjit në nivelin e duhur megjithatë në periodën e dytë trajneri Gjeçaj diçka ndryshon dhe loja arrin të ballancohet në shumë momente. Vendasit e fitojnë periodën e dytë 21-12 por në pushimin e ndeshjes ekipet shkojnë me një diferencë prej 5 pikësh në favor të Sigalit. Edhe e treta nis me të njëjtën mënyrë loje. Vllaznia, e ndihmuar edhe nga tifozët e saj të zjarrtë kërkon të barazojë por vendosin kualitetet e kundërshtarit. Perioda e tretë do mbyllej 17-15 për miqtë që e ruajnë sërish avantazhin e tyre. E katërta do të kishte shumë emocione. Vllaznia arrin ta ngushtojë rezultatin deri në 4 pikë dhe pikërisht në ato momente kur kishte shpresa se mund të barazonin, vijnë dy gabime rresht. Fillimisht Sarajlija nuk është i saktë në një gjuajtje për tre pikë e më pas Bekteshi e vonon pasimin e topit duke i dhënë mundësi kundërshtarit të reagojë dhe të shënojë. E katërta mbyllet 27-24 për miqtë që fitojnë me rezultatin e përgjithshëm 88-78 por në fakt ky rezultat nuk i përgjigjet shumë lojës së zhvilluar. Sa i takon pikashënuesve, Sarajlija i Vllaznisë dhe Berisha i Sigalit janë më të mirët e ndeshjes me nga 29 pikë të shënuara ndërkohë që basketbollisti slloven i skuadrës shkodrane ka shënuar edhe më shumë trepikësha se gjithë të tjerët në këtë ndeshje, plot pesë nga 11 gjuajtje të realizuara.
Vllaznia- Sigal Prishtina 78-88
(18-29, 21-12, 15-17, 24-27)
Vllaznia: Shaqiri, Bekteshi, Ndoja (11), Berdica (8), Sarajlija (29), Gavraniç (15), Taraboshi, Rakaj, Huti, Pajoviç (10), Arra (5). Tr: B. Gjeçaj
Sigal Prishtina: Azemi (13), Hulls (15), Mekaj, Rugova, Hasani (2), Bavçiç (23), Jakupi, Berisha (29), McGhee (1), Mazreku (5)
Gjyqtarë: Marius Ciulin (Rumani), Milosav Kaludjeroviç (Mali i Zi), Aleksander Pavlov (Maqedoni)
Deklaruan:
Bledar Gjeçaj (trajner i Vllaznisë): “Jam shumë i kënaqur me lojën e ekipit sepse rivalizuam deri në fund madje me pak kujdes edhe mund t’ia dilnim ta fitonim këtë ndeshje. Kuptohet që diferencat mes dy ekipeve ishin të mëdha dhe kjo u pa edhe në pjesën e dytë ku tek lojtarët tanë u vunë re shenja lodhje ngaqë kontigjenti që kemi në dispozicion është i vogël dhe krejt ndryshe tek Sigali. Përpos kësaj edhe Sarajlija nuk është në gjendjen e tij më të mirë shëndetësore dhe ka sakrifikuar jo pak. Megjithatë ajo që vlen është se zhvilluam një ndeshje të bukur me të cilën kënaqëm tifozët e mrekullueshëm që na mbështetën fuqishëm edhe në këtë takim”.
Sabit Haxhiç (trajner i Sigal Prishtina): “Ka qenë një ndeshje e bukur, shumë më e rivalizuar se ajo që kemi zhvilluar në Prishtinë me Vllazninë. Kjo e fundit u ndihmua shumë edhe nga tifozët e saj të zjarrtë dhe përpos kësaj, lojtari me nr. 10 (Sarajlija) na vuri në vështirë shumë herë. E rëndësishme është që fituam dhe na duhet të vazhdojmë në këtë rrugë për të arritur objektivat që kemi”.
Të veçanta
*Diferenca të mëdha në mes dy ekipeve, kryesisht në anën financiare. Kur dihet që buxheti i Vllaznisë në këtë debutim të saj në Ligën Ballkanike, drejtori sportiv i Sigal Prishtina- Edis Kuraja, ka bërë të ditur se buxheti i kësaj skuadre sivjet është plot 700 mijë euro dhe jo më kot ajo synon fitoren e trofeut.