Një ceremoni shumë interesante është zhvilluar mbrëmjen e së martës në pushimin e ndeshjes së basketbollit Vllaznia- Sigal Prishtina. Sportklub Vllaznia ka shfrytëzuar interesimin e madh të kësaj ndeshje për të nderuar 10 figura të shquara të sportit shkodran me titullin e lartë “Mirënjohja e Qytetit”, akorduar pak ditë më parë nga Këshilli Bashkiak Shkodër. Kuptohet që nuk ishte shumë e nevojshme për prezantim sepse emrat e tyre flisnin vetë.

Duke filluar nga kollosi I mundjes shkodrane dhe asaj shqiptare, Mirash Vuksani, për të vazhduar me një tjetër emër të shquar të mundjes, Dushan Vaso. Është nderuar edhe 96 vjeçari Zef Kraja, një ndër gjimnastët e parë të Shkodrës dhe të Shqipërisë. Po ashtu edhe trajneri shumë I suksesshëm I volejbollit të femrave Vehdi Sulejmani, volejbollistja e mirënjohur e viteve ’70 Bukurije Alibali dhe volejbollisti Irfan Boriçi. Edhe sporti I basketbollit ka patur një të nderuar, pikërisht një nga emrat më të shquar të tij të viteve ’80, Sokol Kalaj. Këshilli Bashkiak Shkodër këtë herë kishte vendosur të nderonte jo vetëm sportistë por edhe gjyqtarë. I pari që është nderuar ka qenë ai I futbollit Tef Prela, një nga emrat e shquar të arbitrimit të futbollit shqiptar. Po ashtu, gjyqtari I volejbollit Mithat Abdurrahmani dhe ai I basketbollit Ferdinand Bianku. Ceremonia ka qenë e thjeshtë por shumë domethënëse. Këta njerëz të sportit e kanë marrë nderimin e tyre me duartrokitjet e publikut shkodran për vite e vite me rradhë por këtë herë morën edhe nderimin e Këshillit Bashkiak Shkodër. Dhe jo nuk ishte thjesht një çertifikatë Mirënjohje por një Mirënjohje e vërtetë për gjithë kontributin e tyre të dhënë në sport.
Gjergj KOLA