Në sezonin fantastik të Vllaznisë, që u mbyll me fitimin e Kupës së Shqipërisë, një prej personazheve më të dashura të Shkodrës i mungonte jo vetëm stadiumit, por edhe qytetit. Të gjithë pyesnin për Vioresin Sinanin, por një problem e detyroi të qëndronte për më shumë se një vit jashtë vendit.

Tashmë që është rikthyer në Shkodër, golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave për Vllazninë në kampionatin shqiptar (208 gola) rrëfen ekskluzivisht për “Panorama Sport” atë që ka përjetuar duke ndjekur ndeshjet e kuqebluve nga TV. Ai e cilëson Vllazninë e Tomas Brdariç si madhështore për atë që bëri në sezonin e fundit, ndërsa tregon edhe tre lojtarët që ka pëlqyer më tepër.

Viori, së pari për të gjithë ata që ju njohin, ku keni humbur gjithë këtë periudhë…?

Për disa probleme personale, kam qenë disa kohë jashtë Shqipërisë. Kjo është e gjitha.


Sa e keni ndjekur Vllazninë në sezonin e fundit?

E kam ndjekur Vllazninë pothuajse në të gjitha ndeshjet e kampionatit. Të them të drejtën jam ndjerë krenar, si çdo shkodran besoj. Për mua ka qenë Vllazni madhështore, që na ka falur emocione shumë të mëdha.

E cilësuat “Vllazni madhështore”, çfarë ju ka bërë më tepër përshtypje?

Guximi dhe egoja e Alban Xhaferit. E mori Vllazninë në momentet me të vështira të saj dhe për një vit e ktheu në madhështore. Respekte maksimale për këtë njëri.

Skuadra e humbi titullin vetëm për shkak të golavarazhit të përgjithshëm në garën me Teutën. Ishte kjo një keqardhje edhe për ju pas atij sezoni fantastik?

Shiko, për mua rëndësi ka që po shikojmë një Vllazni të bukur pas kaq shumë vitesh. Kjo më ka ngrohur më shumë se kushdo tjetër.

Cilët lojtarë ju kanë pëlqyer më shumë?

Dua të përmend tre emra: Mevlan Adili, Ardit Krymi dhe Erdenis Gurishta. Megjithatë, të gjithë lojtarët meritojnë përgëzime për djersën e derdhur dhe entuziazmin që kanë sjell në Shkodër.

Trajneri Brdariç ka rinovuar kontratën me klubin. Keni një koment për punën që ka bërë Gjermani?

Më vjen mirë që ka rinovuar, pasi mendoj se Brdariç e ka kthyer Vllazninë të madhe. Ai e bëri skuadrën sulmuese. Kam parë gjatë sezonit një ekip që sulmonte pa frikë çdo kundërshtar dhe që krijonte raste pa fund.

Kupa e Shqipërisë u fitua pas 13 vitesh. Është ky një ogur që Vllaznia të arrijë edhe te titulli në sezonin e ri?

Uroj që këtë sezon të fitojë titullin. Nuk është e lehtë, por as e pamundur. Rëndësi ka që Vllaznia në kampionatin shqiptar nuk i trembej askujt. Ka fituar besim dhe jam i bindur që do jetë pretendente kryesore për titull.


Kampionati shqiptar nuk ka ende një bomber si ju, që shënonit mbi 20 gola thuajse çdo sezon. Kush mendon se mund të kapë këto nivele, a ka ndonjë sulmues që ta mbush mendjen?

Se kush mund të arrijë nivelin e Sinanit, mendoj se për këtë mund të përgjigjen të tjerët më mirë dhe jo unë. Unë mund të them këtë, që në momentin kur klubet kanë në gjirin e tyre një sulmues, i cili garanton mbi 20 gola në sezon, duhet ta shtrëngojnë fort. Besoj që e kanë kuptuar se këta lloj lojtarësh gjenden rrallë në futbollin tonë.

Cilat janë planet tuaja për të ardhmen, ku do t’ju shohim tashmë që jeni kthyer në Shkodër?

Unë kam qenë, jam dhe do të jem njeriu i futbollit. Pra, sërish do të jem pranë futbollit.