Sindrit Gurit dje pasdite nuk i ka pushuar telefoni nga thirrjet dhe mesazhet e panumërta. Nuk është pak të shënosh në kampionatin belg që në ndeshjen e dytë, e për më tepër ndaj Anderleht. Një ditë për t’u kujtuar, ndonëse ekipi i Ostende doli i mundur nga fusha e lojës.

“Kam marrë shumë mesazhe dhe të gjithë kanë rëndësinë e vet, i vlerësoj shumë ata që më uruan dhe nuk mund të ndaj një të veçantë, pasi të gjithë kanë vlerën e tyre”, tregon sulmuesi shkodran për VIP Sport.

Urimeve u është shtuar edhe ai i trajnerit të skuadrës, Gert Verhejen. “Më tha që bëra gjithçka që ishte e mundur, por ky është futbolli”, shpjegon Guri, tek i cili klubi i Ostende ka shumë besim dhe nuk ka ngurruar t’i vendosë mbi shpatulla peshën e rëndë të numrit 10 në skuadër.

Një tjetër trajner ishte sot në tribunë, Kristian Panuçi, i cili kishte udhëtuar të shihte atë dhe Abazajn të viheshin përballë njëri-tjetrit, por në fund pa vetëm sulmuesin shqiptar në fushë.

“Trajnerin e kombëtares nuk arrita ta takoja sepse në përfundim të ndeshjes takova vetëm Abazajn.

Po më priste kur mbaroi ndeshja dhe menduam të takoheshim më pas, por ekipi u nis menjëherë dhe duhej të udhëtoja edhe unë me ta”, shpjegon Guri situatën e krijuar me teknikun e përfaqësueses.

Edhe Abazaj kishet shpëtuar pa ndonjë batutë, ndonëse e kishte sfiduar publikisht në mediat belge pak kohë më parë.

“E takova siç thashë më lart por unë nuk i thashë ndonjë batutë, vetëm i urova që të kthehet sa më shpejt në fushë dhe të japë kontributin e tij për ekipin, sepse i ka të gjitha mundësitë”, vijon sulmuesi për shokun e tij në përfaqësuese.

Në fund, nuk mund të mungonte një dedikim për këtë gol të parë. I zakonshmi, por gjithmonë i rëndësishëm për sulmuesin, i cili është një nga futbollistët e rrallë që ngjarjet si e sotmja i feston me njerëzit e afërm.

“Golin ia dedikoj familjes time, si gjithmonë”, janë fjalët e tij, me shpresën që të vazhdojë të festojë me ta shumë të tillë në vijim. /vipsport/