Ostende arriti të fitonte ndeshjen e parë në kampionat përballë Moskrounit me rezultatin e ngushtë 2-1. Në ndryshim nga pjesa e parë, ku Ostende ishte në disavantazh, në pjesën e dytë erdhi përmbysja me protagonist sulmuesin shkodran, Sindrit Guri.

Ai asistoi në golin e barazimit, të shënuar nga Kapon në minutën e 46, ndërkohë që goli i fitores u realizua nga Kanesin. Në një prononcim për “VIP Sport”, Sindrit Guri ka folur në lidhje me debutimin e tij, emocionet e para e për rëndësinë e fitores.

“Jam shumë i kënaqur me këtë debutim, por ishte e rëndësishme fitorja e ekipit. Unë i kisha mundësitë e mia por nuk arrita t’i shfrytëzoj ashtu siç duhet por mendoj se me lojën qe po zhvilloj, golat do të vijnë shumë shpejt dhe për këtë gjë jam shumë i sigurt.

Ndryshimi me miqësoret? Ndryshim ka normalisht se miqësoret fundja janë vetëm miqësore por unë mendoj se ato miqësore na vlejtën për harmonizimin e ekipit sepse si unë, ka dhe lojtarë të tjerë që debutuan dhe duhet të gjejmë njëri-tjetrin sa më shpejtë.

Emocionet? Ishim të gjithë të gëzuar pasi ishte ndeshja e parë dhe ishte para tifozerisë sonë prandaj e kërkonim këtë fitore. Në fund të takimit, trajneri më përgëzoi dhe më tha se kam zhvilluar një ndeshje perfekte”, u shpreh Guri për “VIP Sport”. /Vipsport/