Federata Italiane e Futbollit do t’i paraqesë këtë javë një protokoll sigurie Ministrisë së Shëndetësisë për të miratuar kthimin në stërvitje të klubeve, për të menduar rifillimin e aktiviteteve futbollistike në vend.

Komisioni mjekësor ka caktuar rregulla shumë strikte për të gjithë klubet dhe masa higjene të rrepta të cilat duhen zbatuar e që normalisht nuk do të lejojnë që gjërat të rrjedhin aq normalisht sa kanë rrjedhur më parë.

Kështu, një nga rregullat parashikon që në grumbullimet e blinduara që do të bëhen me lojtarët e stafin të izoluar për disa, javë, të gjithë do të jenë të detyruar që të mbajën gjatë gjithë kohës maska e dorashka, edhe brenda në hotele e qendra stërvitore.

Në pjesën e parë të grumbullimit, ajo që është cilësuar faza 1 e përgatitjeve në aspektin sportiv, parashikohet që stërvitjet të bëhen në grupe të vogla, prej 2-3 futbollistësh, por edhe ata të mbajnë distancën prej 2 metrash nga njëri-tjetri. Kjo do të respektohej jo vetëm gjatë vrapimeve, por edhe gjatë stërvitjeve.

Kështu, në fazën e parë, edhe ushtrimet me top do të jenë të detyruara të bëhen duke ruajtur këtë distancë, deri në hyrjen në fazën 2, kur do të mund të shtohet numri i lojtarëve që marrin pjesë në ushtime e do të zhduket edhe kjo distancë, pasi ekipi do të cilësohet i sigurt pa rrezik infeksioni. /vipsport/