Elseid Hysaj është në vitin e fundit të kontratës së tij me skuadrën e Napolit dhe që nga janari mund të firmosë me cilëndo skuadër që dëshiron. Por duket se prioriteti i tij, ashtu edhe ai i klubit të Napolit është që të vazhdojë të veshë fanellën e kësaj skuadre, ndonës nuk ka akord mes palëve për një marreveshje të mundshme.

Sipas RAI, Gatuzo preferon më shumë Hysajn si mbrojtës të majtë sesa futbollistë të tjerë të cilët janë lojtarë të mirëfilltë të atij krahu.

Garancia që i jep mbrojtësi në prapavijë është ajo që kërkon trajneri dhe për këtë arsye, ka aktivizuar me rregullsi futbollistin në ndeshjet e fundit, edhe pse në teori Hysaj mund të largohet pas pak muajsh.

Gjithsesi, ky besim që ka Gatuzo vjen edhe nga fakti se ai është i ndërgjegjshëm që Hysaj do të dëshironte të qëndronte te Napoli e ndaj vazhdon të aktivizojë atë me rregullsi.

Klubi dhe përfaqësuesi i lojtarit nuk janë ulur në tavolinën e bisedimeve për të nënshkruar një kontratë të re, por njëkohësisht as nuk kanë lënë një afat. Thjesht pritet që në vazhdimin e sezonit, të gjendet një moment për të diskutuar kushtet e dy palëve dhe të gjendet gjuha e përbashkët mes kërkesës së futbollistit për dyfishimin e rrogës dhe ofertës së klubit që është më e vogël.

Gjithçka është çështje shifrash, por RAI insiston se vullneti nga të dy palët është që eksperienca e Hysajt te Napoli të vazhdojë. /vipsport/