Elseid Hysaj ka disa interesime edhe nga Kina. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare është përfolur shumë për merkaton gjatë kësaj periudhe, sidomos me largimin e Sarrit, me të cilin ishte titullar i padiskutueshëm.

Afrimi i Ançelotit te Napoli ka bërë që shkodrani të mos ketë më postin e titullarit dhe kjo bëri që në mediat pranë Napolit të lakohet Hysaj si futbollisti më i mundshëm për të lënë napolitanët në merkaton e qershorit.

PISTAT E MUNDSHME – Teksa Çelsi mund të mos jetë më destinacion për shqiptarin, nisur nga situata aspak e favorshme që po kalon Sarri në Londër, atëherë në mediat pranë Napolit është diskutuar edhe e ardhmja e tij. Inter dhe Lacio janë duke ndjekur situatën e tij momentalisht, por sajtet napolitane të lajmeve kanë raportuar se për shqiptarin ka disa interesime dhe pista konkrete nga Kina.

SITUATA – Këtë sezon, Hysaj nuk është aktivizuar në formacionin titullar dhe me ardhjen e Malkuit, vendi i tij kur zbret në fushë ka qenë ai i mbrojtësit të majtë.

RINOVIMI – Prej muajsh, rinovimi i Elseid Hysajt me Napolin ka ngecur dhe palët duket se nuk kanë asnjë plan për të shtyrë kohëzgjatjen e kontratës aktuale deri në verën e vitit 2021. Ndaj, në qershor Hysaj pritet të veshë një tjetër fanellë dhe mbetet për t’u parë nëse do të qëndrojë në Itali, apo do të transferohet jashtë saj.