✍️ Shkruar nga Endri ÇINARI
Dëmtimet e futbollistëve kanë qenë një problem më vete tek Vllaznia gjatë këtyre javëve, me shkodranët që po “vuajnë” që nga sezoni i shkuar me ndalesat e lojtarëve të tyre në infermieri. Fatmirësisht në ditët e fundit me skuadrën janë bashkuar edhe emra si Bajrami apo Qato, me këtë të fundit që qëndroi jashtë fushave për më shumë se një muaj. E në këtë mënyrë skuadra e Martinit duket disi më e plotësuar në prag të takimit me Dinamon këtë të shtunë.
Por, tek 9 herë kampionët e vendit janë ende dy futbollistë që nuk janë të gatshëm për skuadrën dhe fjala është për Kristian Dros dhe Çarls Bismark. Me dyshen që ende po vuan lëndimet fizike të pësuara para disa javësh. Megjithatë situata për Dros duket më optimiste dhe për të shikohet gjendja në detaje gjatë këtyre ditëve.
Ku në rastin më pozitiv të mundshëm, mesfushori mund të jetë pjesë e të grumbulluarave në skuadër. Duke e nisur kështu ndeshjen ndaj Dinamos nga stoli, por gjithçka do vendoset vetëm 24 orë para ndeshjes për 27-vjeçarin moldav. Ndërsa situata nuk duket aq optimiste për Bismark, që vuan ndalesën në infermieri që nga data 21.09.2025, ku në javën e 4-ët të kampionatit zbriste në fushë për herë të fundit në barazimin 1-1 ndaj Teutës.
Sipas asaj çfarë mëson edhe gazeta, ganezi i është nënshtruar seancave të rikuperimit në mënyrë instensive. Kështu për të shpejtuar sa më shumë të jetë e mundur kthimin e tij në fushë. Ku deri në këto momente të kampionatit, shtatlarti ka zbritur vetëm 109 minuta në fushën e lojës me kuqeblutë. Kjo si pasojë e dëmtimit të pësuar më shumë se një muaj më parë.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”







