Vijon tradita në Angli… Futbolli nuk shkon me pushime gjatë festave të fundvitit. Menjëherë tri javë të Premier Ligës nga sot deri në Vitin e Ri, pastaj 1/16-at e Kupës FA në javën e parë të janarit me dy ekipe të mëdha që përplasen menjëherë në këtë kompeticion, Evertoni dhe Liverpuli në derbin e Mersejsajdit.
Siparin e “Boxing Day” e ngre Totenhemi me Brajtonin sot në orën 13:30, për të vijuar me ndeshjet e pasdites Aston VilaNouriç, Bornmëth-Arsenal, Kristal Palas-Uest Hem, ÇelsiSauthempton, Everton-Bërnlej, Mançester JunajtidNjukasëll (18:30) dhe Lestër Liverpul (21:00). Mançester Siti do të zbresë në fushën e Uolvesit mbrëmjen e nesërme për të kompletuar javën e 19-të.
REKORD KM
Tri ndeshje në harkun e një jave do të thotë se klubet do të jenë për shumë kohë duke udhëtuar këto ditë të fundit të dhjetorit. Klubi i Lestërit do të bëjë numrin më të madh të kilometrave (965) gjatë këtyre ditëve (transfertat me Uest Hemin dhe Njukasëllin).
Shqetësues është kalendari i Mançester Junajtid. Përveç ndeshjes së sotme kundër Njukasëllit në shtëpi, “Djajtë” shkojnë në “Turf Moor” për një sfidë delikate me Bërnlejn.
Por ky udhëtim i shkurtër pasohet nga transferta ndaj Arsenalit në Londër ditën e Vitit të Ri. Pas Brajtonit në shtëpi, Totenhemi do të ketë dy ndeshje jashtë ndaj Noruiçit dhe Sauthemptonit (654 km).
Pep Guardiola do të jetë më shumë i shqetësuar për mungesën e kohës për të pushuar mes dy ndeshjeve shumë të forta. Udhëtimi i nesërm i Sitit drejt Uolverhemptonit pasohet nga vizita e Shefilldit në “Etihad” vetëm dy ditë më vonë: 246 km në total për kampionët e Anglisë.
I lodhur nga udhëtimi në Doha, të paktën Klop do të ketë mundësi të mos përshkojë distanca të gjata gjatë periudhës së festave. 392 km për kryesuesit e Premier Ligës që nisin sot me transfertën në Lestër, pastaj “Reds”-at presin Uolvesin dhe Shefilldin në “Anfield”. Liverpuli ka gjithashtu mundësinë për të bërë tri ditë pushimi mes ndeshjeve.
Çelsi pret Sauthemptonin sot në shtëpi, përpara një udhëtimi të shkurtër në stadiumin e Arsenalit dhe transfertës ndaj Brajtonit, që përkthehen në vetëm 225 km për skuadrën e Lampardit. Mikel Arteta pritet të përshkojë vetëm 375 km në total me Arsenalin e tij gjatë këtyre ditëve.
“Topçinjtë” do ta kenë transfertën e sotme kundër Bornmëthit të vetmen ndeshje jashtë fushës së tyre, sepse ata do të presin Çelsin në “Emirates” dhe Mançester Junajtidin. Ngushëllim vetëm mbetet distanca për trajnerin e ri spanjoll, sepse këto dy ndeshjet e fundit ai do të donte që t’i kishte shmangur që në këto momente.