Egnatia mori një 3 pikësh të artë në transfertë ndaj Skënderbeut. Sfida direkt për mbijetesë e luajtur në Korçë u mbyll me rezultatin 0-1 për skuadrën rrogozhinase. Ndeshja u vendos nga një supergol i shënuar Imeri nga goditja e dënimit, ndërsa korçarët e mbyllën takimin me 10 lojtarë. Në fund të sfidës për “Gol pas Goli”, trajneri Skënder Gega “shpërtheu” ndaj gjyqtarit Kridens Meta.
Humbja? “Egnatia erdhi me qëllimet e tyre dhe unë i respektoj, nuk kam asgjë me ta. Erdha këtu për të dhënë kontributin tim dhe për t’i marrë lojtarëve 100%. Gjërat që më rëndojnë dhe ndjej keqardhje është arbitrimi, nuk jam marrë me arbitra, por çdo gjë ka limit.
Është hera e dytë, që ky gjyqtar vjen në Korçë dhe bën sipas dëshirës. Nuk mund ta paragjykoj, por ky ke ndihmësat dhe VAR-in, duhet të marrë vendime të sakta. Nuk e di nëse shkon i qetë në shtëpi. E mbaj përgjegjësinë teknikisht, por nuk e di këta që arbitrat që gjykojnë, duhet të jenë me më shumë shtyll kurrizore”.
Rasti i penalltisë? “Më qartë sa duket nuk kam çfarë them. Kthehem pas një jave me Partizanin, pretenduam për penallti, u tha në media që ishte penallti, ndërsa kjo vazhdoi edhe tani. Ky person që erdhi sot ka qenë edhe me Kukësin, nuk pranoi të shkonte në VAR.
Është e pafalshme që të vijë një person të caktojë fatin e një qytetit, të mos bëhet ai shkak. Vjen një njeri pa pikë përgjegjësia dhe ai person e di që nuk flitet më për këtë ndeshje. Është hera e dytë, e ka bërë edhe me Kukësin, siç duket qytetërimi në Korçë i jep këtë mundësi pasi në qytete të tjera nuk i bën këto”.
Kartoni i kuq i Berishës? “Mund të ishte edhe i verdhë, por nuk dua ta mbroj. I kam porositur me 100 herë që nuk duhet të dalin nga vetja. Ka qenë fraksion sekonde dhe ka ngatërruar lojën korrekte. Na dëmtoi shumë pasi ngelën me 10 lojtarë. Futbollistëve i falenderova për atë që bënë deri në fund të sfidës.
Sot nuk largohem nga puna, nuk kam interesa monetare pasi e kam ndërtuar jetën jashtë Shqipërisë. Me Skënderbeun kam lidhje akoma më të fortë që nga tani e tutje. Skënderbeu do të rikthehet pas 9 muajsh, dhe do të hapet një dritare e re për ekipin”, u shpreh Gega./newsport/