Vllaznia u eleminua në turin e dytë të Conference League para 2 ditësh. Shkodranët nuk arritën të kalonin rumunët e Univ.Craiova, një kundërshtar me të cilin diferencat në fushën e lojës, por edhe në letër ishin të qarta. Megjithatë edhe kuqeblutë mund të bënin diçka më tepër sepse cilësitë në skuadër nuk mungojnë.

E ndoshta ajo që penalizoi skuadrën në këtë duel europian ishte eksperinca. Por edhe mungesat e dy futbollistëve më me klas të 9 herë kampionëve të vendit apo ndoshta edhe gjithë kampionatit shqiptar.

Fjala është për Liridon Latifin fillimisht. Prishtinasi që ishte njeriu kryesor i ekipit në edicionin e shkuar, nuk mundi thuajse të mos japë asgjë nga repertori i tij.

Ish-mesfushori i Skënderbeut pasi kaloi një periudhë shumë të rëndë shëndetësore para zhvillimit të fazës përgatitore në Austri, ende nuk është në 100% të formës së tij fizike.

Kjo gjë patjetër që ishte një minus për skuadrën e drejtuar nga Mirel Josa. I njëjti diskutim ndoshta vlen edhe për Krisitjan Vulajn, megjithatë tuzianin duhet ta shohim në aksion realisht në kampionat.

U afrua me bujë në këtë merkato, por në duelin europian kundër Craiovas mori vetëm 20 minuta në ndeshjen e dytë. Dhe duke dhënë ndoshta disa “shkëndija” interesante me driblimet, pasimet apo edhe depërtimet e tij.

Një dyshe futbollistësh që mund të bëjë diferencën në çdo çast dhe ndoshta nëse do ishin në formën optimale edhe shpresat e Vllaznisë për kualifkimin do ishin më të mëdha.

Endri ÇINARI