Tirana dhe Vllaznia krijuan një ndeshje të luftuar në sfidën hapëse të javës së tretë të Superiores, me shkodranët që morën tre pikët në “selman stërmasi”. “Panorama sport” sjell për lexuesit e saj momentet më pikante të kësaj sfide.

– Ishte klasikja e 192-të mes Tiranës dhe Vllaznisë, por sfida e luajtur në “Selman Stërmasi” nisi me një prani të vogël tifozësh, ndonëse me kalimin e minutave u shtuan disi, afro 2 mijë të pranishëm ishin në tribuna. Pa dyshim, axhenda e ndeshjes, e premte ora 16:00 nuk ishte joshëse për tifozët e të dyja ekipeve.

– Para fillimit të takimit ka duartrokitje për stafin mjekësor të Tiranës për misionin e kryer me sukses në Rrogozhinë ku i shpëtuan jetën mesfushorit Qefalijaj pa dëmtimit që mori në kokë.

– Takimi nisi me mesazhe solidariteti. Lojtarët e Tiranës u futën në fushë të shoqëruar me disa fëmijë të vegjël që mbanin në dorë pankarta me mesazhe sensibilizuese kundër dhunës ndaj femrave.

– Të dy trajnerët ishin kombinuar me ngjyra identike veshjet e tyre, madje këpucët i kishin thuajse të njëjta. Orges Shehi dhe Mirel Josa e ndoqën takimit gjatë gjithë kohës në këmbë, por trajneri i Vllaznisë ishte më i lëvizshëm në zonën e tij dhe shpeshherë kritik me gabimet që bënin të tijtë. Ndërsa Shehi ka qenë më udhëzues, pasi shpesh vinin lojtarë pranë pankinës për të marrë këshilla dhe detyra specifike.

– Minuta 20. Ndërsa Arbitrat po merreshin me verifikimin e penalltisë nga VAR-i, lojtarët shkodranë me shumicë afrohen pranë pankinës për të pirë ujë dhe freskuar. Ndërsa lojtarët e Tiranës më së shumti kishin rrethuar gjyqtarin Jorgji ku mundoheshin t’i ndryshonin mendjen për vendimin.

-Pas daljes me karton të kuq të Zhivanajt, trajneri Shehi bën disa zhvendosje në rreshtim, ku Aleksi kthehet në qendër të mbrojtjes, ndërsa Kallaku tërhiqet disi më prapa në qendër të mesfushës. -Presidenti i Vllazninë, Alban Xhaferi, e pa ndeshjen disi i zhvendosur në tribunën VIP, jo në qendër pranë homologut të tij, Refik Halili. Xhaferi ndodhej pranë presidentit të Vllaznisë së femrave, ndërsa pranë Halilit ndodhej artisti shkodran, Osman Mula. Dikush e ngacmoi Xhaferin për vendin që kishte zgjidhur, i cili me të qeshur iu përgjigj: “Jam pranë këtij presidentit të Champions-it (Lazër Matiaj). Ky është modeli im”.

– Minuta e 26-të. Bulatoviç ndërhyn fort ndaj Xhixhës. Pankina e Tiranës, lojtarët dhe tifozët shpërthejnë ndaj gjyqtarit Jorgji, ku kërkojnë karton të kuq për mbrojtësin e Vllaznisë, por arbitri elbasanas jep vetëm të verdhë për Bulatoviçin.

– Në tribunën e medias ishin vendosur edhe vëzhguesi i ndeshjes, Plarent Kotherja, dhe gjyqtari me stemën e FIFAs, Eldorjan Hamiti. Ata përfitojnë nga një pauzë e ndeshje për të parë rastin e penalltisë dhe kartonit të kuq të akorduar nga Jorgji. Një moviolë specialistësh që u la të kuptohej se Jorgji kishte vepruar drejt.

– Najdovski-Kaina ishte një dyluftim që u pa shpesh gjatë ndeshjes. Në minutën e 65-të pas një mbulimi në fushë nga Najdovski me trup, Kaina bie në fushë dhe kërkon faull që gjyqtari nuk e vlerëson të tillë. Në këtë çast Najdovski ia bën me shenjë sulmuesit brazilian që të çohet dhe të mos ankohet se nuk ishte faull.

– Minuta 72, Jorgji gjen kartonin e verdhë që i kishte rënë në fushë dhe e merr duke e futur në xhep.

– Minuta 87, Çoba i shtrirë në fushë merr ndihmën e stafit mjekësor, pro që ishte pranë vijës anësore. Bardheblutë ankohen për vonesën dhe Florent Hasani i inatosur kap çantën e mjekëve të Vllaznisë dhe e hedh jashtë vijës anësore. Ka ankesa nga stoli shkodran te arbitri i katërt, por nuk ndërmerret asnjë veprim.

– Në fund të ndeshjes nuk munguan edhe ofendimet dhe ngacmimet në distancë mes tifozërive. Madje, u hodhën edhe sende të ndryshme, kryesisht shishe uji.

– Stoli shkodran i ka përjetuar me ankth minutat shtesë madje në fund ata ishin gati të gjithë të hidheshin në fushë, pasi sipas tyre arbitri Jorgji po e vazhdonte lojën edhe pas 6 minutave të akorduar