Skuadra e Skënderbeut arriti të fitonte duelin direkt për mbijetesë mbrëmë kundër Egnatias. Korçarët triumfuan në shifrat 2-0 përballë rrogozhinasve në stadiumin “Skënderbeu” të Korçës. Ky 3 pikësh ka bërë që bardhekuqtë të barazohen me pikë me Egnatian, por qëndrojnë një vend sipër tyre në tabelë, kjo për shkak të golavarazhit.
“Frymëmarrje” mund të cilësohet ky sukses për ekipin e Memellit, ku për të thënë realitetin skuadra korçare ka treguar një nivel të mirë loje në javët e fundit. E kjo lojë tashmë u shpërblye me pikë në kampionat. Pikë që janë aq të rëndësishme në garën për mbijetesë dhe objektivat e “ujqërve”.
Por për Skënderbeun sapo ka filluar e vështira pasi javët pasojnë shpejt njëra-tjetrën dhe të dielën do jetë vizitor në Shkodër. Përballë do jetë Vllaznia, që nga ana e saj po kalon një moment shumë të mirë forme. Por korçarët gjithsesi vijnë në “Loro Boriçi” për të bërë “dëm”.
Skënderbeu tregoi edhe në fazën e parë që është një ekip jo edhe aq i lehtë, por bëhet i “bezdisshëm”. Kjo u vërtetua nga barazimi 0-0 që mori kundër Vllaznisë në javën e 4-ët të kampionatit. Gjithsesi për Vllazninë lind detyrimi për 3 pikë në ndeshjen e rradhës, kjo për faktin se luan në shtëpi, por edhe objektivat e larta që ka skuadra.