Riorganizimi i Vllaznisë për sezonin e ri futbollistik dhe më konkretisht, emërimi i trajnerit të ri Migen Memelli dhe zv/trajnerit, Ndriçim Shtubina, është në fokus të opinionit sportiv shkodran gjatë këtyre ditëve. Një gjë e tillë është diskutuar edhe mbrëmjen e djeshme në emisionin Studio Sport në ekranin e RTSH Shkodra.

Një nga të ftuarit në panel ishte edhe gazetari sportiv Admir Uruçi. Ky i fundit u shpreh se për të personalisht ishte surprizë e madhe ardhja e Migen Memellit si trajner te Vllaznia, ndërsa theksoi se nuk beson se tekniku i ri i kuqebluve do t’i japë një impuls tjetër ose një ritëm tjetër këtij ekipi.

“Unë shpresoj që ardhja e Memellit dhe Shtubinës, së bashku edhe me Plorin, të jetë më e mira për Vllazninë, por ajo që për mua ishte shumë surprizë, ishte përzgjedhja e trajnerit. Të jem realist, përtej të gjithave emrave që po u lakoheshin, ky i Memellit ishte një emër krejt surprizë që erdhi te Vllaznia.

Ndoshta presidenti Alban Xhaferi dhe vetë Plori e dinin emrin që do vinte te Vllaznia. Për mua, nuk ka rëndësi nëse është Memelli apo dikush tjetër, por e rëndësishme është sepse tek fryma në Shkodër, janë disi më pro atyre trajnerëve që kanë disi emër për të qenë te Vllaznia se sa atyre që janë për t’u provuar te Vllaznia.

Pse e them që është për t’u provuar te Vllaznia? Memelli ka qenë trajner i Laçit dhe Skënderbeut, jo i Skënderbeut që ishte për Superiore, as i Laçit që ishte për titull. Pra, trajner i cili nuk i dha këtyre ekipeve një impuls tjetër, pa i ardhur keq Memellit, sepse nuk kam asgjë personale, pasi edhe atij do t’i japim meritat e tij kur t’i ketë. Prandaj, nuk shpresohet që mund të bëjë diçka te Vllaznia. Ndoshta, mund ta bëjë këtë te Vllaznia, nuk e përjashtoj absolutisht këtë mundësi.

Klima për Memellin që u krijua te tifozëria ishte një klimë jo e mirë dhe jo fort pozitive. Mos të harrojmë ballafaqimet e fundit të Memellit dhe Zguros kur ishin pjesë e Skënderbeut, që solli atë armiqësi mes dy qyteteve në mes Shkodrës dhe Korçës, që ndikoi shumë negativisht për gjatë një periudhe afro dy-vjeçare.

Një armiqësi, e cila u ndikua nga disa fragmente të lojës, por gjithsesi solli atë dashakeqësi mes këtyre dy qyteteve, që gjithmonë janë njohur për harmoni njëri me tjetrin. Memelli ia ka lënë një diçkaje të tillë emocioneve të ndeshjes, por të mos harrojmë se tifozëria shkodrane është e ndjeshme në këto aspekte.

Pra, tifozëria shkodrane nuk është një tifozëri që harron kollaj, as që mundesh të flasësh kollaj. Pra, unë e shoh si një zgjidhje që e ka menduar stafi drejtues, bashkë me Plorin dhe Alban Xhaferin, si zgjidhjen më të mirë të mundshme, por nisur nga ambienti që është krijuar, sidomos nëpër rrjetet sociale të tifozëve, nuk e shoh se është zgjidhja më e mirë e mundshme për t’u bërë.

Nuk kam preferenca për asnjë trajner, sepse çdo trajner ka punën e vet. Nuk kam preferenca, sepse ata kanë punën e vet, ne kemi punën tonë. Një trajner bën punën e vet në anën teknike dhe ne kemi anën pozitive ose negative. Ne duam që Vllaznia të ecin përpara, por ajo që shoh unë domethënë në aspektin e përgjithshëm, emërimi i Memellit tek Vllaznia momentalisht nuk është në anën pozitive”,-tha gjatë prononcimit të tij, gazetari sportiv, Admir Uruçi.
Maringlen ZHIVANI