Skënderbeu i është kthyer normalitetit dhe në dy ditët e fundit, në prag të sfidës me Vllazninë e Shkodrës që zhvillohet nesër në orën 16:00, në stadiumin e qytetit të Korçës, të besuarit e Ilir Dajës kanë përqendrim maksimal për kundërshtarin.

Në Korçë duan tri pikët dhe në një prononcim për “Rtshsport”, Gentian Liçi, ndihmësi i Ilir Dajës dhe një ish-futbollit i mirënjohur te korçarët dhe jo vetëm një dekadë më parë, ka pohuar: “Sigurisht që nuk është gjë e mirë që një skuadër të bojkotojë stërvitjen në prag të një ndeshje shumë të rëndësishme të kampionatit. Megjithatë u zgjidh shumë shpejt dhe kjo është kryesore, sepse presidenti dhe bashkëpunëtorët nuk lanë që kjo problematikë të agravohej”.

Vllaznia
“Tashmë e gjithë vëmendja është e përqendruar te ndeshja me Vllazninë dhe ne do të japim më të mirën në këtë sfidë. Në stërvitje lojtarët janë të përqendruar dhe angazhuar 100% dhe unë kam besim se do të marrim më të mirën në këtë ndeshje për faktin se luajmë edhe në shtëpinë tonë”, – tha mes të tjerash Gentian Liçi.

Dita
“Mungesë e rëndësishme është ajo e kapitenit Bruno Dita. Gjatë javës është punuar që të zëvendësohet sa më mirë. Do të gjejmë alternativën më të mirë të mundshëm, duke qenë se edhe kundërshtari është një ekip që ka kualitet dhe lojtarë me eksperiencë”.

Loja
Sipas Liçit, skuadra po bën lojë dhe nuk duhet që të ketë oscilacione. “Ekipi ka më shumë lojtarë të rinj, ka më shumë nevojë për eksperiencë dhe si rrjedhojë në këtë aspekt duhet që të punojmë edhe ne si staf, duke e alternuar grupin siç duhet në çdo ndeshje. Gjatë stërvitjeve, ne si staf kemi kërkuar që skuadra të ketë më shumë vazhdimësi dhe të krijojmë stabilitet edhe në rezultat”, – tha Liçi në fund të fjalës së tij.