Ditën e sotme, Vllaznia U17 ka mundur Apoloninë në gjysmëfinale dhe kësisoj ka shkuar në finalen e Kupës së Shqipërisë. Në ndeshjen e luajtur paraditen e sotme në Pezë-Helmës ndaj ekipit fierak, futbollistët shkodranë të drejtuar nga trajneri Edmond Doçi, kanë fituar me rezultatin 4-2.

Pas ndeshjes, në një prononcim të dhënë për “Shkodra Sport”, trajneri i Vllaznia U17, Edmond Doçi, foli për këtë sfidë, teksa vuri theksin tek performanca e shkëlqyer e kuqebluve në ndeshjet e fundit dhe shprehet i kënaqur me rezultatin dhe lojën që kanë zhvilluar.

Megjithatë, për Doçin, e rëndësishme është përgatitja dhe edukimi i këtij brezi futbollistësh nga ana e tij si trajner, në lojë dhe jashtë saj në mënyrë që të jenë sa më të aftë në momentin kur të shkojnë në ekipin e parë.

“Me thënë të drejtën, ndeshja ishte shumë e vështirë, por ekipi ka tre ndeshje që po bën paraqitje dinjitoze, sepse të tre ndeshjet ishin me ekipe që pa frikë mund të ishin në finale, por egoja për të fituar dhe cilësia e këtyre fëmijëve bën diferencën. Sa për sot, ndihem shumë i kënaqur se ishte një ndeshje e luftuar me shpirt.

Ekipin kundërshtar, me të cilin do përballemi në finale, Durrësi 04, nuk është se e njohim shumë, por e rëndësishme është që ekipi jonë të bëjë punën e vet, dhe të tregojë cilësinë që e karakterizon edhe ekipin tonë. Unë ia shpreha edhe sportistave që unë, profe. Denisi, profe. Fatjoni dhe trajneri i portierave, Alia, e kemi fituar kupën me kënaqësinë që na dhanë këto tre ndeshje. E rëndësishme është vetëm për këto sportista që ta mbajnë si kujtim në karrierën e tyre sportive”,-thekson ai.

Doçi thotë se shumë shpejt do ketë lojtarë që do t’i shërbejnë ekipit të parë kuqeblu, ndërsa i pyetur për trofetë e fituara nga ana e tij si trajner, ai shprehet se sukses për të do jetë kur të shikojë lojtarët e tij në nivelet e larta.

“Asnjëherë nuk kam përmendur emra lojtarësh, sepse më pëlqen të jemi si një familje, ku të gjithë kanë merita, por as që bëhet fjalë që ka lojtarë që shumë shpejt do t’i shërbejnë ekipit të parë të Vllaznisë.

Faktikisht, me U11 në kampionatin rajonal kam dalë kampion, me U15 vjet kemi dalë kampion veriut, por trofeu që ka më vlera, për mua personalisht, është ky i pari, nëse ia dalim ta fitojmë, kurse nga ana personale, sukses për mua, do të jetë gjithmonë kur të shoh lojtarët që, une kam stërvitur në nivelet më të larta.

Ju betohem që “trofetë” që më gëzojnë më shumë janë vetëm qejfi i fëmijëve, kurse nga ana personale më bëhet qejfi, vetëm kur t’i shoh ata sportista elitare”,-thotë ai.

Në fund, tekniku 40-vjeçar, i pyetur nëse ekipi i 17-vjeçarëve do arrijë ta sjellë kupën në Shkodër, ai thotë se kjo varet nga lojtarët e tij se si do të paraqiten në fushën e lojës.

“Në qoftë se, çunat do të shprehin në lojë atë që kanë shprehur, edhe në ndeshjet kualifikuese normal që, kupa do vijë në Shkodër”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Vllaznia U17, Edmond Doçi.
Maringlen ZHIVANI