Migen Memelli i jep fund dënimit. Ai do të jetë në pankinë duke filluar nga sot, kur Skënderbeu mat forcat me Tomorin. Trajneri u pezullua me 8 ndeshje, por i jepet zyrtarisht e drejta që të kthehet në stol, pasi ka ekzekutuar gjysmën.

Pas katër fitoreve radhazi në kampionat dhe Kupë, korçarët kërkojnë vetëm vazhdimësi. Një transfertë shumë delikate është kjo në Berat, e megjithatë kjo nuk e ndryshon misionin.

Bardhekuqtë udhëtojnë për trepikëshin e tretë radhazi në Kategorinë e Parë, pasi vetëm kështu mund të nisë ngjitja në renditje. Sytë janë te dyshja e sulmit Pusi-Temitope, që në 180 minutat e fundit kanë shkëlqyer së bashku.

Plot 6 herë kanë shënuar së bashku (2 shkodrani dhe 4 nigeriani me pasaportë irlandeze). Kriza e finalizimit është një histori e harruar tashmë, e megjithatë ka ardhur koha e konfirmimit dhe kjo e sotmja në Berat do të jetë provë force.

FORMACIONI – Nëse me Maliqin (për llogari të Kupës së Shqipërisë) pas rrotacionit të plotë, në kampionat nuk do të ketë eksperimente. Përkundrazi, stafi teknik ka menduar që të rikthejë formacionin anti-Burrel.

Ndeshje që skuadra shkëlqeu, ndonëse nuk përjashtohet ndonjë surprizë e vogël.

Në portë do të rikthehet Ruçi, elbasanasi që është kthyer në një pikë të fortë të katërkëndorit. Para tij do të vendoset mbrojtja me tre lojtarë e përbërë nga Beci si qendër e djathtë, Rapa qendër e majtë dhe Prençi mes tyre.

Disi më të avancuar dhe me detyra të qarta në të dyja fazat e lojës do të jenë kapiteni Zguro nga e majta dhe Frashëri në të djathtë. Mesi i fushës ka vetëm një dilemë nga ana e Memellit.

Bëhet fjalë për balotazhin mes Pecanit dhe Likës, që do të jenë në “duel” deri në momentet e fundit për një fanellë titullari. Pikërisht njëri prej tyre do t’i bashkohet dyshes të formuar nga Liço dhe Alii për të kompletuar mesfushën.

Në majën e sulmit nuk ka asnjë dyshim. Temitope dhe Pusi do të mbulojnë ofensivën bardhekuqe në këtë takim, me shpresën për të marrë rezultatin maksimal në një transfertë tejet të vështirë dhe delikate.