Xhuliano Skuka është njeriu i momentit te skuadra e Partizanit. Transferimi nga Dinamo te demat gjatë merkatos së janarit, ka rezultuar e duhura për sulmuesin dibran i cili me të kuqtë po arrin të shënojë gola vendimtarë për t’i dhënë kështu skuadrës së tij pikë të rëndësishme.

Kundër Skënderbeut arriti të shënonte 2 gola dhe të përmbyste i vetëm korçarët, ndërsa sulmuesi nuk e fshehu lumturinë për dopietën e parë në kampionat, ndërsa thekson se të tjera dopieta do vijnë.

“Nuk isha 100% i sigurt që do luaja, por mjekët e bënë punën e tyre. Jam shumë i lumtur për fitoren, kjo është dopieta ime e parë në Superiore, shpresoj të ketë edhe shumë të tjera. Besimi nuk më ka munguar, por jam munduar të jap maksimumin që ta justifikoj besimin.

Ndryshimi im nga Dinamo te Partizani? Kryesorja është që po luaj në rolin tim, siç luaja te Korabi. Te Dinamo isha më shumë në mbrojtje, nuk më binte faza sulmuese shumë”, deklaroi sulmuesi i Partizanit, autori i pesë golave sezonalë në kampionat.