Atleti i talentuar shkodran Izmir Smajlaj është i bindur se gjatë vitit 2014 do ta thyejë medoemos rekordin e garës së kërcimit së gjati. Ai ka kohë që stërvitet për këtë gjë dhe ndonëse në garat e vitit të kaluar i është afruar disa herë, nuk ia ka dalë dot. Këtë vit do jetë ndryshe. Deklaratën e ka bërë vetë Smajlaj që në një prononcim për gazetën shkodrasport.com do të shprehej: “E kam nisur herët punë bashkë me trajnerin tim Vildan Tufi. Objektivat janë të qarta për ta thyer rekordin e garës së kërcimit së gjati.
Madje po jua premtoj se këtë rekord do ta thyej para garave të kampionatit kombëtar që zhvillohen në muajin qershor. Janë aktivite që do zhvillohen përpara dhe në ndonjërin prej tyre, unë do vendos shifrat rekord”. Smajlaj ka besim të patundur për këtë gjë. Pak ditë më parë ka qenë në Angli ku është stërvitur atje për një periudhë të shkurtër ndërkohë që shumë shpejt pritet të udhëtojë drejt Italisë për t’u stërvitur për një periudhë dymujore në qendër olimpike të këtij vendi. Kjo i është mundësuar nga drejtuesit e Komitetit Olimpik Shqiptar. Në rrethana të tilla, premisat për një rekord të ri shtohen. Kujtojmë që rekordin ekzistues me 7.76 m mbahet nga një tjetër shkodran, Admir Bregu.
© shkodrasport.com