Pas eksperiencës shumë pozitive me ndeshjet finale të Kupës së Republikës në basketboll për meshkuj dhe për femra gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar, klubi shumësportësh Vllaznia ka kërkuar të zhvillojë po në Shkodër edhe finalet e Kupës së Republikës në volejboll për meshkuj. Një kërkesë e tillë i është adresuar Federatës përkatëse por në fakt këtë herë përgjigja ka qenë negative. Arsyeja duket disi banale: Kërkesa është bërë vonë! Ai që ka shpjeguar këtë çfarë ka ndodhur ka qenë drejtori i këtij klubi Mark Kroqi i cili në një prononcim për shkodrasport.com është shprehur: “Me dëshirën e mirë për të bërë gjëra të mira, i kërkuam Federatës Shqiptare të Volejbollit zhvillimin e finaleve të kupës në Shkodër. Ajo në vend që ta studionte këtë kërkesë dhe t’i peshonte gjërat ashtu si duhet, ktheu menjëherë përgjigje se kërkesa jonë ishte bërë vonë dhe tashmë vendi i zhvillimit të këtyre finaleve ishte caktuar. E kam të qartë se ka qenë mosdashamirësi. Ndoshta një “shkop në rrota” për volejbollin shkodran që kohët e fundit po kërkon ta thotë fjalën e vet. Në këto finale ne garantonim mbi të gjitha sjelljen e tifozëve në pallatin e sportit sepse qëllimi i sportit në fakt ky është: të argëtojë njerëzit. Drejtuesit e FSHV-së në fakt dëshirojnë ta zhvillojnë në Tiranë pa praninë e asnjë tifozi. Justifikimi i tyre është absurd: E keni sjellë vonë kërkesën! A thu se Federata jonë është më e mirë edhe se ajo e Kubës apo Rusisë që bëjnë ligjin në këtë sport? A thu se gjithçka në këtë Federatë është perfekte dhe kërkesa jonë ishte e jashtëligjshme kur në fakt ishte shumë legjitime sepse finalet e Kupës ka shumë e shumë vite që nuk zhvillohen në Shkodër. Megjithatë ky është realiteti në sportin tonë dhe duhet ta pranojmë atë”.
Gjergj KOLA