Suksesi mbrëmjen e sotme në Beograd ku ka arritur të shpallet edhe Kampion Europe e ka bërë të përjetojë momente të jashtëzakonshme atletin shkodran Izmir Smajlaj. Ai duket se është “në qiellin e shtatë” dhe këtë gjë e thotë edhe në një prononcim të shkurtër për gazetën “Shkodra Sport” kur është shprehur: “Jam pa fjalë, ende se besoj. Jam shumë i emocionuar dhe natyrisht që është një sukses i madh për mua dhe karrierën time. Një sukses që ja dedikoj familjes time për mbështetjen që më ka dhënë dhe trajnerit tim Vildan Tufi që ka punuar pa u lodhur asnjëherë me mua”. Natyrisht që ka të drejtë në këtë prononcim të tij. Ato që e kanë mbështetur pa reshtur janë familja dhe trajneri që kanë sakrifikuar edhe nga ana financiare për ta mbështetur këtë sportist me të dhëna të jashtëzakonshme dhe ai sonte ua ka shpërblyer me një titull të lartë. Një javë më parë u shpall kampion Ballkani ndërsa sonte edhe i Europës. Dhe me rezultat sërish rekord. Ky është Kampioni Izmir Smajlaj!
© shkodrasport.com