Tjetër sukses për boksierin e Vllaznisë dhe të kombëtares shqiptare Arjon Kajoshi. Pas zënies së vendit të parë dhe marrjes së kupës të boksierit më të mirën në Kupën “Pavarësia” pak ditë më parë, pasditen e së dielës, ai ka triumfuar në një tjetër aktivitet ndërkombëtar. Pikërisht në turneun dyditor të zhvilluar në Hercegnovi të Malit të Zi. Në të, kanë marrë pjesë katër boksierë të kombëtares shqiptare të cilat janë në përgatitje për pjesmarrjen në Kampionatin Europian të 23 vjeçarëve që nis pas pak ditësh në Rumani. Në ndeshjet gjysmëfinale, boksieri shkodran Vuksan Guri nuk ka arritur dot të fitojë ndaj një kundërshtari nga Italia duke mos dalë në finale. Shkodrani tjetër Kajoshi ka fituar dhe në finale ka arritur përsëri të fitojë ndaj një kundërshtari nga Kosova. Dy boksierët e tjerë të kombëtares sonë, Krenar Zeneli dhe Indrit Laçi, ndonëse fituan të drejtën për të konkurruar në finale, nuk triumfuan. I pari ngaqë në ndeshjen gjysmëfinale, është dëmtuar në vetull dhe për këtë arsye, nuk ka mundur dot të konkurrojë për fitimin e trofeut të vendit të parë, ndërsa tiranasi Laçi ka humbur edhe ai ndaj kundërshtarit të tij në peshën 91 kilogramë. Në këtë mënyrë, nga boksierët tanë, paraqitjen më të mirë e ka bërë Arjon Kajoshi I cili jo vetëm ka zënë vendin e parë dhe ka merituar medaljen e artë në peshën e tij por ka marrë edhe kupën e boksierit më luftarak të aktivitetit ku morën pjesë sportistë nga 8 shtete të Rajonit. Megjithatë, objektivi I tij padyshim që është suksesi në Kampionatin Europian të 23 vjeçarëve ku do të marrë pjesë pak pak ditësh dhe ku do të tentojë të futet në zonën e medaljeve.

www.shkodrasport.com