Dritan Smajli, ish-futbollisti i shkodranëve, por edhe i disa skuadrave të tjera elitare në kampionatin tonë, ka folur për atë që pret nga Vllaznia e këtij sezoni.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-kapiteni kuqeblu dhe aktualisht trajner i Besëlidhjes, mendon se Vllaznia ka vepruar drejt në atë që ka bërë deri tani. Ai ka folur edhe për formulën e re të Superiores.


Pesë ditë para startit të kampionatit, si e shikoni Vllazninë?

Kuptohet që Vllaznia ka pësuar shumë ndryshime, duke filluar nga stafi dhe organika e skuadrës, por jam besimplotë që do të funksionojë, duke njohur stafin teknik që punojnë me shumë pasion dhe një pjesë të mirë të lojtarëve që do të japin gjithçka për të shkuar te suksesi.


Janë larguar shumë nga grupi i dy viteve të fundit, sa dhe si mund të ndikojnë?

Është e vërtetë që janë larguar shumë, por besoj që do të ndikojë për mirë, sepse me në fund do të shikojmë më shumë shkodranë që po ju jepet besimi dhe ngelet te këta që ta justifikojnë besimin që kanë, duke filluar nga presidenca, stafi teknik dhe opinioni dhe mendoj që do të funksionojë.


Po flitet për projekte afatgjatë, si e shikoni ju këtë?

Kjo është gjë e mirë, pasi po të shohim janë skuadra bote, që punojnë me projekte afatgjata dhe po të marr një shembull. Shiko Barcelonën që po aktivizon lojtarë 17 apo 16-vjeçarë, që për dy apo tri vite këta lojtarë do të mbajnë peshën e skuadrës. Edhe Barcelona do të jetë ajo skuadër që ka qenë ndër vitet e arta te saj dhe besoj në një farë mënyre kështu po mendohet dhe për Vllazninë që të prodhoj dhe të afirmojë lojtarët e akademisë. Unë mendoj që ka ikur koha të mendohet sot për sot.


Si e shihni merkaton e deritanishme të Vllaznisë, pasi po kërkohet vetëm për një dublues për Balajn në majë të sulmit dhe ekipi të quhet i plotë. Ju mendoni se ka nevojë edhe ndonjë afrim tjetër?

E vërteta është që për të përballuar një kampionat çdo pozicion duhet të jetë i dubluar, aq më tepër në këtë kampionat, që është shumë i gjatë dhe kartonët apo dëmtimet apo forma jo e mirë e ndonjë lojtari që janë prezent në kampionat të lind nevoja që të kesh edhe një sulmues tjetër. Mendoj që merkatoja ka qenë e mirë, e kujdesshme, pa shpenzime marramendëse, por mendoj që do të japë më shumë rezultat. Ndoshta përveç një sulmuesi, është e nevojshme po themi edhe për një numër 10, që në fakt nuk është e lehtë të gjendet. Megjithatë shpresoj të bëhet më e mira deri në mbyllje të merkatos.


Me këtë grup, ku e shikoni Vllazninë në fund të sezonit?

Vllaznia patjetër do jetë pretendente dhe normalisht do të jetë te katërshja lart për të tentuar titullin dhe te jeni të sigurt nuk e them që unë dua Vllazninë apo jam tifoz, por realisht me lëvizjet që ka bërë e shikoj pretendente.


Si e shikoni formulën e re të kampionatit?

Kjo formulë edhe të favorizon edhe jo. Se për shembull mund ta mbyllesh në vend të katërt dhe rifutesh përsëri ne garë për titull dhe kështu je i favorizuar, e kundërta është në qoftë se e mbyll në vend të parë dhe të duhet përsëri një sforco shumë e madhe për ta rifituar dhe kështu normalisht nuk je i favorizuar, pra është edhe e mirë edhe e keqe si formulë e të mesme s’ka.

Vllaznia e nis ndaj Kukësit, si e parashikoni këtë përballje?

Duke parë merkaton e të dyja skuadrave, organikën që kanë, mendoj së Vllaznia është shumë më lart, por kjo duhet faktuar në fushën. Vllaznia duhet ta fillojë mbarë kampionatin dhe mendoj kështu do të ndodhë.