Dritan Smajli është nga ata ish-lojtarë që ka provuar të luajë për të dyja skuadrat më të vjetra të futbollit shqiptar: Vllazninë dhe Tiranën. Ish-mbrojtësi, që prej pak muajsh është trajner i Besëlidhjes, i ka përjetuar shpesh “klasiket” si kapiten i kuqebluve.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai pranon të flasë në prag të përballjes Tirana-Vllaznia, duke e parë tashmë situatën nga larg dhe për më tepër si trajner. Smajli beson te një fitore e kuqebluve në kryeqytet, ndërsa bën elozhe për trajnerin Qatip Osmani dhe drejtorin sportiv, Tefik Osmani. Ai është i bindur se Vllaznia do të jetë pjesë e katërshes në fund, ndërsa tani e sheh skuadrën më sulmuese.
Dritan, prej disa muajsh drejtoni Besëlidhjen në Kategorinë e Dytë. Ju del koha të ndiqni edhe Vllazninë, që ju e keni cilësuar si skuadrën e zemrës?
Patjetër, e kam ndjekur kampionatin dhe sigurisht Vllazninë.
Si ju duket skuadra pas lëvizjeve që janë bërë në staf?
Mendoj që lëvizjet kanë ndikuar pozitivisht, pasi ka ardhur një frymë e re në skuadër dhe lojtarët po luajnë më me entuziazëm dhe dëshirë. Kjo është shumë e rëndësishme.
A shikoni ndryshime në lojën e ekipit?
Po, pasi skuadra po shfaqet me mirë në fushë. Shikoj një Vllazni më agresive dhe më të shpejt në manovrën sulmuese.
Vllaznia fitoi ndaj Dinamos dhe duket sikur në skuadër u rikthye qetësia. Besoni se do të ketë vazhdimësi?
Që në fillim të këtij sezoni unë kam thënë që Vllazninë e shikoj në katërshen e parë, pasi me të vërtetë ka cilësi në skuadër. Mirëpo, duhet të dish t’i vendosësh në punë lojtarët dhe mendoj që diçka ka filluar të funksionojë, pavarësisht se duhet shumë punë.
Të dielën luajnë “klasiken” me Tiranën. Është kjo ndeshja ku kuqeblutë mund të tregojnë forcën e vërtetë?
Gjithmonë Tirana-Vllaznia ka qenë një përballje e bukur dhe e fortë. Besoj që edhe këtë herë do të shikojmë futboll të bukur dhe shumë të luftuar. Kuptohet që dëshira ime është të fitojë Vllaznia.
Ju jeni vetë trajner, çfarë prisni nga ky takim?
Unë realisht e shikoj më të avantazhuar Vllazninë, pasi në javët e fundit është shfaqur më mirë se Tirana në fushë. Kjo më bën të besojë se do të marrë rezultat maksimal në kryeqytet. Tirana nuk po kalon një moment të mirë, qoftë sa i përket lojës, ashtu edhe rezultateve që ka marrë. Në bazë të asaj që kam parë në javët e fundit, mendoj që Vllaznia është një hap para.
Të flasim pak për Superioren në tërësi. Çfarë përshtypje ju bën kampionati pasi kanë kaluar 16 javë?
E vërteta është që interesi ka rënë. Është për të ardhur keq që stadiumet janë bosh. Kur futbollistët nuk kanë përkrahje apo emocionin që të përcjell publiku, është shumë e vështirë që t’i të kesh ritmin apo dëshirën e duhur. Pa zhurmë dhe brohoritje në stadium, nuk ka futboll cilësor apo të luftuar. Natyrisht, mund te jenë shumë faktorë pse po ndodh kjo.
Na thoni disa faktorë, pse ka rënie të interesit?
Duke filluar nga skema e kampionatit, por edhe largimi i njerëzve jashtë Shqipërisë apo edhe gjendja e vështirë ekonomike në vend. Janë shumë faktorë, prandaj duhet një analizë e thellë.
Në janar rihapet merkatoja, çfarë i duhet Vllaznisë sipas jush?
Unë jam partizan i asaj që duhet të luajnë shkodranët, pra lojtarët e afruar nga akademia dhe besoj që këtu ka filluar një faqe e re për Vllazninë. Ajo po luan si asnjëherë tjetër me shumë lojtarë shkodranë.
Ju kënaq fakti që Vllaznia po promovon të rinjtë?
Jashtëzakonisht shumë dhe kjo është një bravo e madhe për të gjithë në klubin Vllaznia, që po aktivizojnë më në fund, kaq shumë lojtarë të rinj dhe vendës. Më besoni, se të gjithë lojtarët që kanë ardhur nga merkatoja, s’kanë bërë asgjë më shumë sa po bëjnë këta djem. Unë ka vite që bërtas me të madhe, që duhen aktivizuar lojtarët e akademisë së Vllaznia. Klubi s’ka nevojë për ndërhyrje të shumta në merkato.
Me këtë grup që kanë, besoni se shkodranët e mbyllin në katërshe?
Absolutisht po. Me shumë pak ndërhyrje, Vllaznia do të pretendoj edhe diçka më tepër. Besoj shumë të aftësitë e drejtorit Tefik Osmani, pasi ka dhënë prova që di të bëj mirë punën e tij. Unë e kam shumë shok dhe e bezdis shpesh që Vllazninë ta bëjë më të fortë dhe gati për kampione./panorama-sport/