Përballja e nesërme në mes Erzenit dhe Vllaznisë që do të startojë në orën 16:00 në stadiumin “Egnatia Arena” të Rrogozhinës do të hapë javën e dytë të “Abissnet Superiore”. Shkodranët vijnë në këtë ndeshje pas fitores 3-1 në javën e parë ndaj Kukësit, ndërsa shijakasit befasuan kur barazuan 3-3 në Laç ndaj vendasve ndonëse ishin në disavantazh 3-1.
Po çfarë pritet të ndodhë nesër? E sigurtë është se do të kemi të bëjmë me një sfidë të luftuar. Ndërkohë tifozët shkodranë besojnë tek suksesi i Vllaznisë edhe në këtë takim të rradhës.
Një gjë e tillë konstatohet edhe tek rezultatet e sondazhit që “Shkodra Sport” organizoi gjatë ditës së sotme. Në të morën pjesë 373 vetë dhe shumica e tyre, pikërisht 187 ose 50.13 % e votuesve janë të mendimit se Vllaznia do ta fitojë këtë ndeshje.
74 vetë ose 19.84 % e votuesve e mendojnë barazimin si rezultatin më të mundshëm të këtij 90 minutëshi, ndërsa 112 vetë ose 30.03 % mendojnë se ndeshjen do ta fitojë Erzeni. Ky është thjesht një parashikim dhe se çfarë do të ndodhë, këtë do ta tregojë fusha e lojës./SHKODRA-SPORT.COM/