Dy ditë më parë “Shkodra Sport” ka hapur një sondazh me lexuesit e saj për të vlerësuar trajnerin e huaj më të mirë që ka punuar tek Vllaznia gjatë këtyre viteve.

Sa i takon këtyre të fundit, ata që kanë punuar në Shkodër kanë qenë katër dhe pikërisht malazezët Dervish Haxhiosmanoviç e Mojash Radonjiç, italiani Baldo Ranieri dhe maqedonasi Jonuz që po e drejton tani skuadrën kuqeblu.

Interesant është fakti se në bazë të votimeve të bëra nga lexuesit tanë, i preferuari i tyre është Dervish “Deda” Haxhiosmanoviç. Ndoshta ngaqë ka punuar më gjatë tek Vllaznia dhe për më tepër, ngaqë ka fituar një titull kampion, një Kupë të Shqipërisë dhe një Superkupë me këtë skuadër.

Shumica e lexuesve kanë votuar për “Dedën”, por ka patur edhe prej atyre që këto suksese ia kanë faturuar faktit se skuadra në ato vite ka patur president dhe prandaj kanë ardhur edhe sukseset. Por pavarësisht kësaj, Haxhiosmanoviç vlerësohet shumë edhe për faktin se është bërë tifoz i Vllaznisë tashmë.

Ndërkohë, i dyti ndër më të votuarit është trajneri aktual Mirsad Jonuz e pas tij vjen Baldo Ranieri dhe i fundit Mojash Radonjiç, që në fakt nuk ka qëndruar më shumë se katër muaj në Shkodër.
© shkodrasport.com