Presidentët e klubeve të Kategorisë Superiore janë mbledhur sot nga FSHF për të diskutuar rreth ndryshimeve të mundshme të formulës së kampionatit si në këtë sezon, ashtu edhe në ato pasardhës. Në mbledhje ka pasur shumë diskutime dhe duket se varianti që kërkohet të miratohet, është ai me një play-off me grumbullim në Tiranë mes ekipeve të para, ku të gjitha ndeshjet luhen në “Air Albania” dhe nag të cilat do të shpallet fituesi.

Në këtë pikë, presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, ka kërkuar që të merret në konsideratë për një “fazë finale “ të tillë edhe stadiumi i Shkodrës, “Loro Boriçi”, siç e ka shprehur edhe gjatë mbledhjes apo pas saj. Numri 1 i kuqebluve ka treguar për “Panorama Sport” pse e ka bërë një kërkesë të tillë.

“Stadiumi “Loro Boriçi” garanton standarde të njëjta që i ofron “Air Albania”. Duke parë tifozerinë dhe interesin, e kam thënë 2-3 herë që të gjejmë një formulë që të mos fokusojmë gjithçka te “Air Albania”. T’i japim mundësinë edhe nëpërmjet skemës, që të përfshihet edhe stadiumi “Loro Boriçi”.

Kjo bëhet për interesat e të gjithëve se të ardhurat ndahen në mënyrë proporcionale me këtë skemë të re. Në stadium, në ndeshje të kësaj rëndësie kemi pasur 7-8-9 mijë vetë të pranishëm, kemi pasur shumë interes nga tifozët. Edhe organizimet kanë qene perfekte, në 3 vitet e fundit nuk ka pasur asnjë incident, asnjë problem.

Bëjmë ndeshje perfekte, terreni, stadiumi, janë të gjitha bashkë që duhet të bëjnë edhe stadiumin “Loro Boriçi” pjesë të skemës për fazën finale nëse miratohet ky lloj formati i kampionatit”, tha Xhaferi për gazetën duke shpjeguar këndvështrimin e tij.