Për klasifikimin final duhet të presim ende disa orë, teksa sot në mbrëmje do të zhvillohet mbrëmja e madhe gala. Por për momentin ka dalë një listë që përcakton fituesin dhe pikët e gjithsecilit. Jemi duke folur për “Topin e Artë” dhe një listë votimi që është publikuar nga mediat ditën e djeshme.

Fituesi i çmimit më të madh individual që jepet nga revista prestigjioze “France Football” pritet të jetë Lionel Mesi. Por nuk është kjo surpriza e madhe. Bëhet fjalë për renditjen e Kristiano Ronaldos, i cili ka përfunduar jashtë podiumit të renditjes duke u parakaluar nga Van Dajk dhe Mohamed Salah.

Në fakt portugezi nuk llogaritej këtë vit si një nga pretendentët kryesorë për këtë çmim individual. I vetmi që mund të trembte Leo Mesin ishte mbrojtësi Virxhil Van Dajk, i cili bëri një sezon spektakolar me Liverpulin dhe arriti të fitonte Ligën e Kampionëve.

RENDITJA

Leo Mesi ka marrë votat më të shumta të gazetarëve në të gjitha vendet, të cilët e kanë përzgjedhur si më të mirin e vitit 2019. “Pleshti” ka arritur të marrë 446 vota, ndërsa mbrojtësi holandez 382 pikë. Salah ka lënë pas Kristiano Ronaldon pasi ka grumbulluar 179 pikë kundrejt 133 pikëve të yllit të Juventusit. Duhet thënë se pas Ronaldos renditen dy lojtarë të tjerë të Liverpulit, të cilët fituan Ligën e Kampionëve.

Bëhet fjalë për Sadio Manenë dhe Alison Bekerin. Nuk dihet ende nëse kjo do të jetë renditja përfundimtare, por sot në mbrëmje do të shuhen të gjitha dilemat dhe dyshimet rreth këtij trofeu. Nëse Leo Mesi do të triumfonte sërish, atëherë do të bëhej futbollisti i parë në histori që do të fitonte 6 herë “Topin e Artë”.