Prej një muaji ndodhet në Kanada dhe atje ka shpresë që shumë shpejt mund të nisë një aventurë të re. Basketbollisti shkodran Dodë Lekndreaj me largimin e tij, ka krijuar një boshllëk të madh tek Vllaznia, pasi ai ishte shndërruar në një lojtar të rëndësishëm për kuqeblutë, ndonëse marëdhëniet e tij me trajnerin Gospodinov siç e pat shprehur edhe vetë para largimit, nuk kanë qenë edhe aq të mirë.

Tashmë trajneri bullgar është larguar dhe Lekndreaj ndonëse është larg, e ka një mesazh edhe për të. Në një intervistë për “Shkodra Sport” 23 vjeçari shkodran flet për shumë gjëra dhe në fund, sigurisht që shpreson që Vllaznia të jetë në lartësinë e duhur për të arritur objektivat që ka.

– Dodë, u bë më tepër se një muaj që jeni larguar nga Shqipëria. Çfarë po bëni aktualisht në Kanada?

– Jam në pritje të një testimi që do të bëj me një nga ekipet këtu në Kanada. Kuptohet që niveli i basketbollit këtu është shumë i lartë megjithatë unë do të mundohem të jap më të mirën time dhe shpresoj shumë që t’ia dal të jem pjesë e këtij ekipi.

– Po nëse nuk ia del?

– E kam thënë edhe në momentin e largimit nga Shkodra, Vllaznia është shtëpia ime dhe mund të rikthehem t’i bashkohem asaj për ta ndihmuar në gjysmën e dytë të sezonit për të arritur objektivat e saj.

– E keni ndjekur Vllazninë gjatë kësaj periudhe që jeni larg saj?

– Po e kam ndjekur dhe jam informuar për gjithçka ka ndodhur aty. Kuptohet që nuk më ka pëlqyer fakti se ekipi ka humbur tre ndeshje në kampionat, por mund t’ia dalë të rikthehet në lartësinë e duhur sepse i ka mundësitë dhe për më tepër, ka tashmë edhe një trajner të ri që shpresoj të bëjë më mirë se ai që ishte.

– Meqë dolët tek trajneri, është larguar Gospodinov me të cilin duket se nuk i keni patur të mira raportet. Si e gjykoni këtë ndryshim të trajnerit?

– Më duket se largimi i tij ka qenë i vonuar dhe askush nuk është mërzitur nga kjo gjë.

– E thoni këtë tashmë që jeni larg skuadrës?

– Unë i kam thënë të gjitha ato çfarë kam patur për të thënë në intervistën e dhënë para largimit, ndonëse mora ankesa e vërëjtje për atë intervistë. Në fakt kam qenë gati për të folur që në javën e dytë, por nuk më ka pyetur kush.

– Çfarë nuk bëri mirë trajneri Gospodinov?

– Ai u desh t’i jepte besim të gjithë lojtarëve dhe me i ba me u ndi të gjithë pjesë e ekipit si në rast fitoreje ashtu edhe humbje, por nuk e bëri këtë gjë.

– “Telefoni” juaj kaloi në dorën e vëllait- Danielit dhe ai në fakt e përdori mirë duke dhënë mesazhin e vet. Duket se ky “telefon” funksionoi për largimin e trajnerit…

– Celularin në fakt tashmë ia mora vëllait sepse më duhet mua. Danieli e përdori siç duhet “telefonin” sepse deshi të tregonte se ka vlera dhe jo më kot vitin e kaluar ka marrë çmimin si lojtari më i mirë i vitit.
© shkodrasport.com