Java e dytë e kampionatit të femrave do të sjellë një derbi shkodranesh të “transformuar” si Laçi-Kukësi. Kjo sfidë premton shumë emocione dhe lojë të fortë, duke marrë në konsideratë rivalitetin që këto ekipe kanë pasur vitet e fundit në kampionat.
Vajzat e Laçit, të drejtuara nga Elis Legata, nuk kanë bërë ende “sefte” për këtë vit, teksa do të tentojnë të “rrëmbejnë” trepikëshin e parë ndaj Kukësit. Kujtojmë se, Laçi një javë më parë, u mund nga Vllaznia me rezultatin e thellë, 8-0.
Ndërkohë, nga ana tjetër, Kukësi, do të luajë ndeshjen e parë për këtë kampionat. Për ekipin e drejtuar nga trajnerja Paula Jaku, pritet të jetë një përballje jo e lehtë, por gjithsesi edhe ato nga ana e tyre, do të kërkojnë fitoren e parë në kampionat këtë javë.
Laçi-Kukësi pritet të jetë një sfidë që duket të jetë e vështirë për të dyja ekipet. Megjithatë, të dy ekipet do të kërkojnë të dalin me maksimumin e mundshëm nga kjo përballje.
Ndërkohë, pavarësisht asaj çfarë tha presidenti i FSHF, Armando Duka, se nuk ka dijeni të ketë ndodhur shndërrimi i ekipeve shkodrane, si Laçi dhe Kukësi, kjo ndeshje do të luhet ditën e sotme në Shkodër, më konkretisht në fushën sportive Zmijani, duke filluar nga ora 14:00.
Maringlen ZHIVANI