Dita e hënë pritej të kishte zhvillime tek Vllaznia sa i takon çështjes së trajnerit të ri, por në fakt nuk ka ndodhur kështu. Edhe seanca e sotme është drejtuar nga zëvendëstrajneri Safet Osja dhe ai i portierëve Ideal Lekiqi.

Të dy ata kanë qenë para futbollistëve dhe kanë zhvilluar stërvitjen e parë të kësaj jave, duke nisur kështu edhe përgatitjet për sfidën e së shtunës ndaj Besëlidhjes. Edhe vetë lojtarët kanë qenë me sytë nga dera e “Reshit Rusit” për të parë nëse aty do të shfaqej trajneri i ri, por kjo nuk ka ndodhur.

Drejtuesit e klubit mesa duket nuk e kanë marrë ende vendimin për përzgjedhjen e trajnerit që do të zëvendësojë Hasan Likën në pankinën kuqeblu. Në fillim u mendua se zgjidhja mund të gjendej lehtë dhe trajneri i ri do të ishte një nga njerëzit që punon aktualisht në klub teksa u përfolën emrat e Ervis Krajës, Luan Zmijani apo dhe Altin Xhahysës.

Po ashtu, në media dolën si kandidatura edhe emrat e Hysen Dedjes dhe Agim Canajt. Pikërisht lakimi i shumë emrave, mesa duket i ka vënë në dilemë edhe drejtuesit e klubit që fillimisht kanë kërkuar një trajner vetëm për dy muaj. Por kjo kërkesë e tyre mesa duket është refuzuar nga një pjesë e mirë e kandidatëve dhe prandaj po vonohet edhe prezantimi i trajnerit të ri.

Megjithatë kjo mund të jetë çështje orësh tashmë dhe mbase në stërvitjen e së martës, në krye të ekipit do të jetë “timonieri” i ri i Vllaznisë. Se kush do të jetë ai, këtë ende askush nuk e ka të qartë.
© shkodrasport.com