Nga Maringlen ZHIVANI
Shkodra do të jetë sot epiqendra e futsallit shqiptar, teksa në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” do zhvillohet një nga gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë. Vllaznia Futsall do të zbresë në parket përballë Jata 6+1, në një sfidë që pritet të jetë e fortë dhe mjaft e luftuar.
Takimi do të startojë në orën 16:00, ndërsa në anën tjetër të shortit, po sot do të luhet edhe gjysmëfinalja tjetër mes Flamurtarit dhe KF Tiranës në orën 18:00.
Fituesit e dy gjysmëfinaleve do të përballen në finalen e madhe më 23 dhjetor, ora 16:00, sërish në Shkodër. Vllaznia synon finalen dhe trofeun, me mbështetjen e tifozëve shkodranë në një event që premton spektakël dhe emocione.


