Murlani është një ekip i ri, i mirëorganizuar në staf, infrastrukturë dhe me futbollistë cilësorë, i cili ka ambicie për të rritur pak nga pak shkallët e konkurrimit. Ata do të luajnë ditën e sotme ndeshjen ndaj Elbasanit dhe kërkohet një rezultat pozitiv.

Në prag të kësaj ndeshjeje, trajneri i Murlanit, Altin Xhahysa, në një intervistë për “Shkodra Sport” u shpreh se kërkohet me patjetër rezultati pozitiv, ndërsa theksoi se gjendja e skuadrës është shumë e mirë në këtë pragndeshje.

“Eshtë e vërtetë se është një ndeshje e bukur, duke ditur edhe ekipin kundërshtar Elbasani, që kemi ne përballë dhe normalisht janë marrë edhe masat që të dalim me një rezultat pozitiv. Të vazhdojmë me ecurinë e mirë, që kemi pasur javën e fundit dhe shpresojmë që në disa raste duhet edhe fatin ta kemi me vete.

Gjendja e skuadrës është e mirë. Dëmtime nuk ka, pra grupi është i plotë për ndeshjen ndaj Elbasanit. Të them të drejtën, duke parë edhe ndeshjet dhe rëndësinë, jam i kënaqur që ekipi është përgjigjur domethënë, në çdo aspekt që i është kërkuar dhe çdo gjë është bërë me meritë, deri në këtë moment që flasim.

Normalisht, e njoh ekipin e Elbasanit, sepse kemi luajtur edhe ndeshjen në fazën e parë me ta, ku jemi ndarë barazim dhe shpresoj domethënë duke ditur edhe mënyrën e lojës që luan Elbasani, shpresojmë t’ia gjejmë prapë pikat e dobëta, aty ku kemi synuar edhe në fazën e parë dhe të dalim në këtë fazë edhe njëherë me rezultat pozitiv.

Normalisht, çdo ekip ka ato defektet e veta, që të bëhet edhe më mirë, por duke parë edhe fillimin e kampionatit, duke parë edhe lojtarët që kemi afruar, kemi bërë të pamundurën që gjithë këto të jenë në formën më të mirë, por gjithsesi të thashë, ne jemi të kënaqur me objektivat që ka arritur deri në këto momente Murlani, duke ditur se jemi në zonën e play-off”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Murlanit, Altin Xhahysa.
Maringlen ZHIVANI