Kemi zgjidhur 99% të kërkesave të Ligës dhe për ligjin e sponsorizimeve kemi arritur rakordim të shifrave, por mungon vetëm përcaktimi i një formule të përbashkët mes palëve. Për gjobat nevojitet ligj i posaçëm nga Parlamenti për të gjithë bizneset, ku të përfitojë edhe futbolli.

Ditën e premte do të kemi përgjigje”, ishte deklarata, e perifrazuar, e deputetit Fidel Ylli pas takimit të dytë bërë mes Ligës dhe Ministrisë së Financave. Kësisoj, sot pritet edhe verdikti i tryezave të diskutimeve mes palëve. Po çfarë pret sporti?

PRITSHMËRITË

Nëse qëndrimi i qeverisë do të jetë për të plotësuar vërtet nevojat e sportit, atëherë pritet që të ketë një lloj mirëkuptimi edhe për kërkesën kryesore të Ligës: ligjin e sponsorizimeve.

Nga sa bëhet me dije, në rrugë informale, vetë futbolli pret që më së paku, qeveria të miratojë kërkesën e tyre të paktën në një rrugë të mesme, diku mes 15 dhe 20%, kur dihet që është kërkuar 30% e tatimit mbi fitimit, të drejtohet drejt sportit.

Formula, është pikëpyetja e madhe, nëse qeveria do ta pranojë propozimin e bërë nga Liga, apo do të vijojë me skemën e miratuar aktualisht. Sa i përket gjobave, mund të ketë një vendim të qeverisë për amnisti ndaj bizneseve, lidhur me gjobat dhe kamatëvonesat në Tatime, ku do të përfitonte edhe futbolli.

Nëse do të jetë ky vullnet i qeverisë, atëherë do jenë të përfshira edhe klubet e futbollit. Sa i përket kërkesës së faljes së detyrimeve personale të sportistëve, duket se do të mbesë fuqi ligji aktual me dy vite falje dhe Liga pranon të tërhiqet nga kjo pikë në rast se të tjerat do të marrin zgjidhjen e kërkuar.

STARTI

“Presim ‘tym të bardhë’ nga qeveria dhe fillojmë futbollin”, ishte deklarata e kreut të Ligës Profesioniste në daljen e fundit. Thënë ndryshe, duke qenë se pritshmëritë janë pozitive nga qeveria, në rast se vërtetohen të tilla, atëherë plani është thuajse gati që futbolli të rinisë menjëherë.

Një nga planet është që starti i sezonit të jetë pikërisht të mërkurën e ardhshme. Klubet janë gati dhe në pritje të vendimit që do të vijë nga Liga si dhe nga Federata Shqiptare e Futbollit, ndaj edhe në rast pranimi të kërkesave nga qeveria, java e ardhshme i hap udhë edhe rifillimit të aktivitetit futbollistik në të gjitha kategoritë.