Trofeu i parë në karrierë për blerjen më të shtrenjtë të historisë së Mançester Sitit mund të vijë as 48 orë pas firmës në “Etihad”, sepse sot në orën 18:15, në “Wembley”, Anglia do të diskutojë trofeun e parë të sezonit, Superkupën e Anglisë kundër Lestërit.
Ndërsa për Grilishin mund të jetë trofeu i parë në karrierë, për Pep Guardiolën mund të jetë i 33-ti. Aston Vila, e cila bëri shitjen më të shtrenjtë të historisë së saj, ka vendosur që të rimbursojë fanellat Grilish që tifozët kanë blerë këtë sezon.
DARKA ME PEPIN – Grilish e festoi transferimin e tij rekord me një darkë në restorantin e trajnerit Pep Guardiola. Pasi postoi një letër të gjatë lamtumire për tifozët e Aston Vilës, fantazisti 25-vjeçar iu drejtua restorantit “Tast Cuina Catalana”, në qendër të Mançesterit, i cili është në pronësi të trajnerit katalanas.
Por, për t’i shpëtuar vëmendjes së fotografëve, ndërkohë që ishte i shoqëruar edhe nga e fejuara, ai doli nga dera e pasme e restorantit. Megjithatë, mëngjesi i ditës së premte ka nisur sërish me një takim mes futbollistit dhe Guardiolës, i cili postoi në mëngjes në “Instagram”-in e tij një foto duke biseduar në zyrë me Grilishin. Në më pak se gjysmë ore, mbërritën 60 mijë pëlqime për foton e trajnerit.
Grilish tha në intervistën e prezantimit se trajneri katalanas ishte një nga arsyet përse ai zgjodhi të luajë për Mançester Sitin, duke e vlerësuar ish-teknikun e Barcelonës dhe Bajernit të Mynihut si më të mirin në botë.
Pasi firmosi kontratën 6-vjeçare, nga e cila Grilish do të përfitojë rreth 230 mijë paund në javë, ai vlerësoi edhe shokun e ri të skuadrës, Kevin deBryjne, të cilin e admiron. Belgu ishte një nga tre lojtarët që prodhuan më shumë asiste sesa Grilish sezonin e shkuar (bashkë me Bruno Fernandeshin dhe Herri Kejnin). Por ata të dy mund të mos presin shumë përpara se të shkëmbejnë pasimet e para.
Nuk është çudi që Xhek të përshëndetet me tifozët e Sitit që sot, me disa minuta kundër Lestërit. Në “Wembley” do të jenë të pranishëm 60 mijë tifozë për të parë spektaklin e futbollit anglez, i cili do të rikthehet në fushë me sezonin e ri të Premier Ligës javën e ardhshme.