Luçiano Spaleti merr më në fund një sinjal pozitiv nga reparti ofensiv: Xhonatan Dejvid po rikthehet në formën që e bëri të shkëlqente te Lilë dhe këtë e ka treguar me paraqitjet e fundit. Sulmuesi kanadez ka nisur të lëvizë me më shumë besim, të hyjë në zgjedhjet e Spaletit dhe të japë ato sinjale që tifozët bardhezi i kanë pritur prej javësh. Lëvizjet e tij pa top, aftësia për të hyrë midis linjave dhe cinizmi para portës po i japin trajnerit një armë të rëndësishme në fazën ofensive.
Mirëpo, për Juventusin e këtij sezoni, gëzimet nuk zgjasin shumë. Ndërsa Dejvid tregon rritje dhe fiton vazhdimësi, mbrojtja i rikujton trajnerit problemet e vjetra. Një tjetër lëndim ka ringjallur emergjencën në repartin difensiv, ku Spaleti tashmë duhet të improvizojë dhe të rindërtojë një linjë që nuk ka gjetur qetësi që nga fillimi i sezonit. Mungesat dhe gjendja fizike e paqëndrueshme e disa titullarëve kanë krijuar një situatë delikate për ndeshjet e radhës.
Dëmtimi së fundi I Fedriko Gatit, ngre “alarmin” e kuq në Torino. Spaleti e di mirë se balanca është thelbësore për të mbajtur Juventusin në ritmin e objektivave sezonalë. Përmirësimi i sulmit është një sinjal i rëndësishëm, por nuk mund të mbulojë dobësitë e prapavijës. Kanadezi Dejvid mund t’i japë frymëmarrje skuadrës, por nëse mbrojtja vazhdon të lëkundet, rreziku për të humbur pikë të rëndësishme mbetet real.
Trajneri bardhezi po vlerëson zgjidhjet e brendshme dhe po mendon edhe për ndërhyrje në merkato, nëse situata nuk stabilizohet. Qëllimi është të shmanget një tjetër periudhë me improvizime, pasi ndeshjet e ardhshme janë vendimtare për klasifikimin dhe për objektivat e sezonit. Mes rikthimit të formës së Dejvid dhe alarmit në mbrojtje, Juventusi i Spaletit ecën në një fije të hollë. Në javët në vijim do të mësohet nëse skuadra do të arrijë të gjejë ekuilibrin e nevojshëm, apo do të vazhdojë të luhatet midis shpresave dhe emergjencave.















