Bajer Leverkusen nuk ka ndërmend të ndalet. Pas fitores së vuajtur me Karabak në Europa Ligë, “aspirinat” morën suksesin e radhës në transfertën e ndërlikuar të Fraiburgut. Golat e Virc, Hlozek e Patrik Shik ngjisin në kuotën e 70 pikëve Leverkusen, 10 më tepër se ndjekësi më i afërt, në këtë rast kampionët në fuqi të Bajernit.

Në harkun e 8 javëve të mbetura, atyre i mjaftoi të grumbullojnë minimalisht 11 pikë, çka i siguron titullin e parë në histori. Trajneri Ksabi Alonso është prononcuar mjaft euforik pas triumfit, duke e shprehur hapur dëshirën për triplet: “Ne kemi ndeshje çdo tri ditë dhe kjo bën që kontributi i të gjithë lojtarëve të jetë thelbësor.

Muaj prill vendimtarë për fatet e sezonit. Jemi në rrugë të mbarë dhe ekipi ka fituar besim, pavarësisht se si vijnë rrethanat e ndeshjes. Fitore e vuajtur ndaj Fraiburgut, por e rëndësishme në sigurimin e 3 pikëve.

Jemi prezentë në tre kompeticione të ndryshme, ekipi do synojë të fitojë gjithçka, fusha do e jap verdiktin final”, e mbylli Ksabi Alonso.