I ftuar në emisionin “Rubrika Sportive” në RTSH, eksperti i moviolës, Klajdi Kola ka thënë verdiktin e tij në lidhje me rastin e dyshimtë në Bylis – Vllaznia. Kujtojmë se në minutën e 90-të të sfidës së Ballshit kur vendasit po kryesonin 1-0, pati një prekje me dorë, por arbitrja Emanuela Rusta s’akordoi penallti edhe pas rishikimit në VAR.
Ndërkohë që Kola në studion e “Rubrika Sportive” është shprehur se ajo është penallti e pastër. Sipas tij, Rusta ka gabuar këtu, duke mos i dhënë dot shpjegim se pse arbitrja ka marrë këtë vendim, edhe pse rastin e rishikoi për disa minuta në ekranin e sistemit VAR.
“Një treshe gjyqtaresh vajza, me kryesoren Emanuela Rustën, e ndihmuar nga Albert Doda në VAR. Minuta e 90-të, ndodh ky rast. Ndeshja ka qenë 1-0, nuk kemi pasur vërshëllim për 11-metërsh në fushë. Unë mund të përmend vetëm kriteret pse ky rast është 11-metërsh. Topi vjen nga distancë shumë e largët, është top në rënie, jo top i fortë. Nuk kemi prekje nga kundërshtari, futbollisti mbrojtës e merr riskun që dora të goditet nga topi.
Nuk konsiderohet dorë natyrale, pasi futbollisti nuk kërcen me duart e zgjatura përpara, por të mbledhura anash. Për të gjithë këto kritere e ka thirrur sistemi VAR, për të parë prekjen e topit me dorë që është fakt. Edhe pas rishikimit, Rusta nuk e ka vlerësuar për penallti, gabim në këtë rast sepse duhet të kishim penallti. Ka edhe një protokoll tjetër sistemi VAR, kur e thërret arbitren për vendimmarrjen, të shpjegon kriteret. E ka thirrur për një penallti të mundshme”, tha Klajdi Kola.


