Java e tretë e Premier Ligës angleze, rezervon përballje spektakolare. Supersfida mes Mançester Sitit dhe Arsenalit, është ajo që do të ngrejë siparin në orën 13:30 për të kulmuar me duelin mes Liverpulit dhe Çelsit që do të zhvillohet në orën 18:30.

Spektakël i garantuar, ndërkohë që në orën 16:00, do të zbresin në fushë edhe Sauthemptoni i Brojës, Evertoni, Lestëri, apo Uest Hem.

Padyshim që vëmendja më e madhe do të jetë te dueli i orës 18:30, mes Liverpulit dhe Çelsit. Në konferencën e zakonshme për shtyp përpara ndeshjes, trajneri i Liverpulit, Jyrgen Klop vlerësoi maksimalisht kundërshtarin gjithashtu dhe blerjen e fundit të “Bluve” të Londrës, Romelu Lukaku.

“Është një nga ato ndeshje që nëse nuk do të isha i përfshirë, do ta shikoja dhe do të kënaqesha pafund me atë së çfarë do të jepnin skuadrat në fushën e blertë . Është një ndeshje që dhe publiku do ta shijojë. Çelsi po kalon një moment shumë të mirë, pasi fituan Ligën e Kampionëve dhe Superkupën e Europës.

Me Tomas Tuhel, Çelsi zhvilloi një kampionat tepër pozitiv dhe skuadra eci në drejtimin e duhur. Kanë pjesë të skuadrës një lojtar si Romelu Lukaku, që do të jetë një mision i vështirë për mbrojtjen tonë që ta markojë. Sidoqoftë, për sa i takon skuadrës time, edhe në jemi në një moment të mirë, ndaj shpresojë ta reflektojmë edhe në fushën e blertë”, deklaroi Klop.

Vlerësim maksimal edhe nga ana e trajnerit të Çelsit, Tomas Tuhel, që e përshkroi përballjen me Liverpulin në “Anfield Road” me spektatorë si një nga sfidat më të vështira që mund të hasësh në futbollin evropian.

“Unë mendoj se çdo moment që luan në “Anfield Road” dhe me spektatorët kundër është një nga sfidat më të vështira me të cilat mund të përballeni në futbollin evropian. Presioni është i jashtëzakonshëm dhe e dimë mirë që një gjë e tillë na pret ndaj Liverpulit.

Si ne, ashtu edhe Liverpul patëm një start të mirë të kampionatit, por do të luftojmë që nga minuta e parë për të marrë një rezultat të mirë. Do të jetë një sfidë e madhe dhe asnjë rezultat nuk do të jetë vendimtar për sezonin, por padyshim që ne po luftojmë sepse këto janë sfidat në të cilat duhet të demonstrosh forcën që ke dhe duam të fitojmë ndaj tyre”, deklaroi Tuhel.