Pas 3 javësh do të nisin punimet në “Arena Egnatia”. Projekti i publikuar gjatë muajit korrik nga ana e klubit pritet që të marrë jetë shumë shpejt. Gazeta “Panorama Sport” zbulon se stadiumi i ri nuk do të jetë vetëm në 3D, por një realitet i prekshëm.

Gjithçka është gati dhe pritet që impianti të kushtojë të paktën 2 milionë dollarë. Një investim aspak i vogël, e sidomos për një skuadër që militon në Kategorinë e Parë.

Megjithatë, presidenti Agim Demrozi nuk ka në plan që të kursehet. Ai i ka vendosur qëllim vetes që të ndërtojë një klub model e të jetë gati për elitën.

Hapat e parë i kanë hedhur prej kohësh në fakt. Kanë krijuar një ekip që kryeson me meritë Grupin B, ka korrektësi maksimale me pagesat dhe, mbi të gjitha, kushte perfekte stërvitshmërie.

Jo më larg se një javë më parë inauguruan edhe kompleksin në Lekaj, një fushë që do ta kishte zili çdo ekip i elitës. Qëllimi i rrogozhinasve është i qartë: duan ngjitjen. Janë në rrugën e duhur, derisa fazën e parë e mbyllën në krye. Për të mos vendosur në rrezik objektivin, drejtuesit po punojnë edhe me merkaton.