Ish-trajneri i njohur, Sulejman Starova, ka folur për ecurinë e Vllaznisë në emisionin “Skaner” të MCN TV, duke analizuar pikat e forta dhe dobësitë e skuadrës shkodrane që aktualisht kryeson Superligën.
Starova vlerësoi punën e trajnerit Martini dhe ecurinë pozitive të kuqebluve, por njëkohësisht theksoi se Vllaznia duhet të përmirësojë përdorimin e topit dhe mënyrën si menaxhon avantazhin gjatë ndeshjeve.
“Vllaznia është për t’u përgëzuar, pa diskutim. Në ndryshim nga viti i kaluar, këtë sezon vihet re mungesa e Partizanit. Nëse më parë ishte në krye, këtë vit është në fund të tabelës,” – deklaroi Starova.
Sipas Starovës, Vllaznia ka shumë elementë pozitivë, por në aspektin teknik nuk është ende në nivelin e rivalëve.
“Ka shumë për t’u vlerësuar, por edhe gjëra për t’u përmirësuar. Për shembull, Dinamo dhe Egnatia kanë përdorim më të mirë të topit. Një skuadër që synon titullin duhet të ketë kontroll më të mirë të lojës,” – shtoi ai.
Starova vuri në dukje se shkodranët shpesh tërhiqen pas kur kalojnë në avantazh dhe nuk arrijnë të ruajnë ekuilibrin mes mbrojtjes dhe sulmit.
“Kur është në epërsi, Vllaznia mbrohet shumë afër portës. Ndërsa kur ka nevojë për gol, hidhet e gjitha në sulm. E pashë edhe kundër Flamurtarit: pritën shumë gjatë në pjesën e parë dhe reaguan vetëm pasi pësuan gol – por ishte vonë,” – theksoi trajneri.
Në fund, Starova ndaloi te individualitetet që po bëjnë diferencën te kuqeblutë, duke veçuar Bekim Balajn dhe Arbër Kallakun si elementët më të spikatur të repartit ofensiv.
“Pika e fortë e Vllaznisë janë padyshim lojtarët e saj në sulm. Balaj është më i mirë se sezonin e kaluar – atëherë shënonte më shumë nga penalltitë, ndërsa tani nga loja e hapur. Gjithashtu, ardhja e Kallakut i ka dhënë më shumë liri Malës,” – përfundoi Starova.







