Pak ditë më parë u nderua me medaljen e bronztë në Kampionatin Ballkanik që u zhvillua në Antalia të Turqisë por për boksierin shkodran Arjon Kajoshi nuk ka pushim. Kjo ngaqë pasditen e së premtes ai do të zhvillojë ndeshjen e tij të dytë në boksin profesionist.

Aktiviteti këtë herë do të zhvillohet në qytetin e Vlorës dhe sportisti 23 vjeçar padyshim që do të tentojë fitoren, ashtu siç bëri edhe në takimin e parë në këtë lloj boksi, pikërisht në muajin shtator në Shkodër. Përballë Kajoshit pas dy ditësh në ring do të jetë një boksier turk dhe padyshim që objektivi i tij është vetëm fitorja.

Kemi të bëjmë me një sportist i cili prej 3-4 vitesh është një nga cilësorët e Shqipërisë, pjesmarrës i rregullt në shumë aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare, fitues edhe i disa medaljeve dhe ndërkohë tashmë duket se ka ardhur momenti që ai të shkëlqejë edhe në boksin profesionist.

Madje, edhe vetë promotorët e aktivitetit të Vlorës, objektiv ka përzgjedhjen e boksierëve më të mirë të Shqipërisë, të cilët më pas mund të kalojnë në Amerikë në një palestër shumë të njohur, për një të ardhme më të mirë në këtë sport.

Dhe Kajoshi këtë objektiv ka, të fitojë edhe ndeshjen e së premtes dhe të mendojë për më larg. Po të premten në Vlorë do të zhvillohen edhe ndeshjet e Kupës së Shqipërisë, por Vllaznia këtë herë mësohet se nuk do të marrë pjesë për arsye fondesh. Në këtë mënyrë, shkodranët nuk do kenë mundësi të rrëmbejnë një tjetër trofe pas atij të kampionatit kombëtar.
www.shkodrasport.com