Sulejman Starova, specialisti futbolli dhe trajner i shumë ekipeve të ndryshme në Superligën shqiptare ka folur mbrëmjen e djeshme për ndeshjet e Kupës së Shqipërisë.
I ftuar në emisionin “Skaner”, “Bobi” u shpreh se sfidat e Kupës me dy takime janë pozitive për trajnerët pasi kanë mundësi të aktivizojnë shumë lojtarë, ndërsa po të ishte me një ndeshje teke do të kishte shumë disavantazhe.
“Ky i Kupës së Shqipërisë është një moment i mirë për trajnerët për të aktivizuar ndonjë lojtar që ka më pak minuta apo ndonjë lojtar të ri. Për skuadrat që kanë bërë keq në javët e para të kampionatit, të luanin me më të mirët në Kupë, për të arritur formën më të mirë dhe për të qenë gati. Kupa me ndeshje teke ka edhe disavantazhe.
Mund të qëllojë një fushë e keqe. Jemi në kushte të Shqipërisë. Kur mungon infrastruktura, skuadrat e mëdha rrezikojnë eliminimin. Nëse do ishte ndeshje teke, lojtarëve të rinj nuk do i jepej mundësia. Kategoria e parë pritet që të jetë e fortë, por që të bëjnë hapin për Superiore, duhen projekte dhe investime. Me ato që kanë, nuk kanë shanse. Ka disa tentativa, mesa kemi pare.
Humbja e Vllaznisë? Kam informacion që edhe po të shkonte me ekipin e parë mund të humbte ndeshjen me Labërinë”, u shpreh Starova./newsport/