Duke folur për të ardhmen e trajnerit Ilir Daja te Partizani, Sulejman Starova tha se nuk duhet të merret një vendim i shpejtë. Në “Skaner” në MCN TV, Starova theksoi se rezultatet nuk janë në favor te trajnerit. Ai e quajti si hap fals për karrierën e Dajës, i cili konsiderohet si një nga trajnerët më të mirë në Shqipëri.
“Nuk është koha që të merret një vendim i shpejtë. Nuk është vetëm çështje largimi i trajnerit, por edhe kush vjen. Rezultatet pas derbit nuk janë në favor të trajnerit.
Ai derbi mund të mbyllej edhe në barazim. E vendosën episodet. Ajo që la shije të hidhur, është se në vend që të shikonim Partizanin me moral të lartë, ndodhi ajo që nuk e priste njeri. Ndoshta ndikuan edhe ndërrimet e gabuara.
Rastet për shënim te Partizani ishin të rralla, ndonëse bënë lojë. Me 18 pikë në 15 ndeshje, bëhet e vështirë edhe Europa, në një skuadër që kërkohet titulli.
Nuk mund të them dot se nuk ka kimi mes skuadrës dhe trajnerit. Matësi i trajnerit është rezultati. E mira është që trajneri i mirë të mos gabojë. Ky është një hap fals për Dajën, i cili mbahet si një nga trajnerët më të mirë në Shqipëri.”, deklaroi Starova.