Sulejman Starova, në emisionin “Skaner” në MCN TV, deklaroi se trajneri Edy Reja, duhet të qëndrojë në drejtimin e Shqipërisë deri në fund të kontratës së tij.
Duke analizuar barazimin e Shqipërisë me Islandën, Starova u shpreh se kuqezinjtë dominuan në pjesën e parë, ndërsa e dyta ishte ndryshe. Sipas tij, gabimi te goli i barazimit nuk ishte vetëm i Gjimshitit, por i gjithë mbrojtjes.
“Reja është trajneri i ekipit kombëtar dhe jam i mendimit që duhet të qëndrojë deri në fund të kontratës. Ta lëmë trajnerin dhe të merremi me ekipin kombëtar. I kemi të gjitha mundësitë për të dalë në vendin e parë dhe jam i besimit që do dalim në vendin e parë.
Asnjë nuk e vë dorën në zjarr, që kishte një nënvlerësim nga ana jonë. Luanim në fushën e tyre dhe i mbytëm në krahun e djathtë. Në pjesën e parë i dominuam. Pjesa e dytë ishte ndryshe. Bëmë një performancë fantastike në Spanjë dhe kur erdhi Gjeorgjia këtu, kemi probleme nga skuadrat që mbyllen prapa.
Pas pjesës së parë, kishte një lloj euforie. Pas barazimit, na duhej një kohë, që të riktheheshim në lojë. Zëvendësimet nuk ishin aty ku duhet. Duhet ta marrin vesh të gjithë, që nuk ishte vetëm faji i Gjimshitit te goli i pësuar, por i gjithë mbrojtjes”.