Sulejman Starova, në rolin e specialistit të futbollit në emisionin “Skaner” në MCN TV, tha se është diçka e mirë fakti që në javën e parë ka shumë gola. Starova foli gjithashtu edhe për VAR, duke u shprehur se është diçka e mirë, duke folur për ndërhyrjen në ndeshjen Tirana-Skënderbeu, ku pas rishikimit u anulua penalltia e akorduar për korçarët.

“Është gjë e mirë që kemi gola, shpresoj të vazhdojnë kështu. VAR ishte menjëherë vendimtar. Një rikthim i Vllaznisë, që fiton me goleadë dhe tregon se ka një sulm të fortë. Teuta fiton ndaj Partizanit, duke konfirmuar se janë edhe ata për titullin.

Tirana bën detyrën, ndaj një Skënderbeu që ka treguar se janë në rritje. Edhe Dinamo tregon se do të jetë me objektiva. Mendoj se Kastrioti, Egnatia dhe Skënderbeu do luftojnë për vendet e fundit.

Meqë jemi te shënimi i golave. Pësimi i golave rregullohet më shpejt se shënimi i golave. Nuk e kemi pasur luksin e VAR, kur isha unë trajner. E dha frytin direkt. Korrigjoi menjëherë gabimin e Jorgjit te penalltia në Tirana-Skënderbeu.

Jorgji duhet të jetë shumë i kujdesshëm, ka bërë një budallallëk të madh. Dukej që në fillim që nuk ishte penallti. Teuta e meritoi fitoren ndaj Partizanit. Kjo skuadër e këtij viti është më e fortë se ajo e sezonit të kaluar. Partizani më la përshtypje jo shumë të mira.”, u shpreh Starova.